Daja i këngëtares Rovena Dilo reagon pas letrës së hapur që ajo publikoi, duke treguar të vërtetën e tij në lidhje me pronën që ajo pretendon se është e familjes së saj.
Agron Vreto tregon se trualli rreth 900 metra katrorë, ku sot ndodhet lokali “Rovena”, ka qenë pronë e tij deri në vitin 2014, ku ai vendosi t’ua shiste Tom Doshit dhe Ndriçim Babasit.
Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Vreto shprehet se vendimin për ta shitur lokalin e ka marrë pasi mësoi se mbesa e tij, Rovena Dilo, po tentonte ta legalizonte dhe ta kthente në emrin e saj.
Madje e akuzon atë, duke thënë se për shkak të miqësisë që kishte me ministrin e Brendshëm të asaj kohe, Igli Toskën, e çoi në Polici, ku qëndroi për 6 orë, në vitin 2003.
Si qëndron e vërteta e konfliktit të pronësisë që ju keni me Rovena Dilon?
Unë e lexova në gazetë në fakt. Ajo jep informacione të pavërtetuara. Nuk është e udhës që të shkruash ashtu dhe të akuzosh dikë. Unë po jua them që kam pasur fatin që kam takuar ata të dy persona që kanë marrë pronën time. Sepse tani unë nuk e kam më pronën de juro, s’është më prona ime, por është e dy personave të tjerë. E atyre dy zotërinjve të nderuar, qytetarë, zotit Tom Doshi dhe Ndriçim Babasi. Ata janë njerëz të nderuar. Unë edhe Tomën e njoh prej kohësh, sepse dikur ka ardhur edhe ai në lokal, kur kam punuar edhe unë aty. Edhe Çimin e njoh, edhe shumë më mirë. Dhe po ju them që pata fat që erdhën dhe më propozuan. Tani unë po e filloj nga fundi. Ajo donte ta legalizonte tokën time. Ajo është tokë e imja e trashëguar nga babai im, Naim Vreto. Dhe kur thotë ajo që po më marrin pronën e familjes, mua më vjen për të vjellë. Është një turp i madh, sepse ajo nuk ka lidhje fare me atë pronë që ajo e ka uzurpuar. Unë e kam të trashëguar nga babai im dhe nga nëna ime. Pavarësisht se ne kemi qenë 5 motra dhe 3 vëllezër. Rovena është vajza e motrës sime. Për fatin më të mirë, familja ime, motrat dhe vëllezërit nuk janë ndjerë fare për këtë problem. Në vitin 2003, unë u prisha me atë, sepse nuk doja të bashkëpunoja më.
Si u hap ky lokal?
Fillimisht unë kisha tokën dhe ajo e di shumë mirë, sepse i ka pasur letrat aty në lokal. Në vendosëm që të bëjmë një lokal modest. Në fakt patëm lokalin e parë në Tiranë dhe kemi pasur fitime ato 2-3 vite që kam qenë unë. Pastaj unë vendosa të tërhiqesha nga ajo punë, se nuk e bëja dot. Unë merrem me muzikë. Madje në atë kohë ajo më ka çuar edhe në Polici. Unë doja ta prishja atë biznes, nuk doja të punoja më me të.
Pse, patët ndonjë konflikt?
Ajo kishte diçka. Me sa kuptova unë, ajo kishte lidhje me shumë mafiozë. Njerëz të dyshimtë për mua. Prandaj desha ta mbyllja. Ajo nuk pranoi, më çoi në Polici dhe e hapi lokalin. Pastaj unë nuk shkova më. Ka një njeri në botë që të ketë lokalin e vet, pronën e vet dhe të mos shkojë më?
Kjo situatë ka ndodhur në vitin 2003?
Po, kjo ka ndodhur në vitin 2003. Lokali është hapur fillimisht në vitin 2000. Pas 3 vitesh, unë vendosa ta mbyllja sepse nuk e duroja dot atë gjendje që u krijua, pavarësisht se kishim fitime. Pastaj ajo, pavarësisht se unë ika dhe nuk u ndjeva, vazhdoi punën. Për 13 vjet me radhë, nga viti 2003 e deri sot që flasim bashkë, unë nuk kam marrë një kokërr leku atje. Ne e kishim bërë kontratën 50 me 50. Jo vetëm që nuk më dha para, por bëri edhe ato gjërat e tjera. Në fund fare, kur më lajmëruan që ajo kishte bërë letrat për të legalizuar tokën ta bënte në emrin e vet, unë vendosa ta shisja. Emrin e lokalit e ndryshoi ajo. Ne ishim sh.p.k., ishim dy pronarë. Unë isha pronar i tokës dhe bashkëpronar në lokal. Ai lokal e ka pasur emrin “Defakto Vreto”. Edhe në menutë që kishim në lokal, kishim këtë emër. Kjo i zhduku ato, i hoqi dhe pastaj, kur unë ika nga lokali, se ne jemi qytetarë, por ajo ka dalë jashtë racës sonë, edhe pse është mbesa ime, ajo e ndryshoi në QKR. E bëri nga sh.p.k. në person fizik dhe emrin e lokalit “Rovena”. Edhe këtë e durova, vetëm nga vëllezërit dhe motrat e mia. Pastaj kur mora vesh që po bënte letrat që ta legalizonte, unë veprova menjëherë, në bazë të të gjithë dokumentacionit të rregullt që kisha. Me ndihmën e Zotit dhe të atyre dy zotërinjve të nderuar, mora atë tapinë në Hipotekë që ishte në emrin tim dhe gjithçka në rregull, me noter, me gjithçka, bëra shitjen. Kur shkuan ta marrin pastaj, ajo bëri gjithë atë rrëmujën e madhe. E hodhën në gjyq ata. Pas dy vitesh, Gjykata vendosi që ajo të dalë përjashta.
A mund të na e sqaroni më konkretisht se cili ishte shkaku i konfliktit mes jush dhe Rovena Dilos?
Unë doja ta mbyllja sepse, siç ju thashë, ishim dy persona. Unë thosha do ta mbyll, ajo nuk donte. I thashë ta mbyllte para Vitit të Ri 2003. E hapi lokalin ajo. Ka qenë viti 2002 duke hyrë viti 2003. I thashë rojës le ta hapë lokalin. E hapnim sepse kishim fitim atë natën e Vitit të Ri, sepse ishte mu në mes të ish- Bllokut. Unë shkova të nesërmen dhe pashë që nuk kishte punuar lokali. Nuk kishte pasur ndonjë fitim. Hapa derën, u futa brenda. Kam qenë me njërin nga vëllezërit e mi. Erdhi kjo pastaj se kishte lajmëruar Policinë. Më morën mua dhe më çuan në Polici. Më kanë hipur në furgon dhe kam qëndruar 6 orë në rajonin e Policisë. Ajo kishte mik atëherë ministrin e Brendshëm, që ka qenë Igli Toska. E pikërisht për këtë arsye nuk duhej të shkruante gjëra të tilla nëpër gazeta. Sepse i ka bërë vetë dikur. Ajo shkoi e mori ministrin e Brendshëm, më futi mua 6 orë në Polici dhe e hapi prapë lokalin. Mua m’u bë zemra ujë. Të ma bënte mua mbesa ime këtë gjë? Kaq ishte, as nuk bëmë llafe, asgjë. Thjesht i thashë që dua ta mbyll lokalin se do ta bëj parking, i thashë, dhe më vonë do të bëj ndonjë pallat.
Sa është sipërfaqja e kësaj prone?
Është diku rreth 900 metra katrorë tokë. Në Hipotekë është e shkruar 887, më duket, po aq, rreth 900 metra.
Kur e keni shitur?
Unë e kam shitur në qershor të vitit 2014. Kur e mori vesh kjo, se shkoi Policia, sepse e morën ata për ta nxjerrë jashtë, ajo filloi pastaj të shkruante gjëra të tilla në gazetë.
Ju keni shitur truallin, apo edhe lokalin?
Truallin. Çfarë lokali? Lokali dërrasa është. Ajo sa lekë ka fituar aty për 13 vjet, duhet të më japë mua miliona. Unë nuk jam dukur, për 13 vjet s’kam hyrë në atë rrugë më. Këta i hapën gjyq me të drejtën e tyre, sepse prona është e atyre, nuk është e imja më. E kisha unë, të trashëguar nga babai im, sepse unë kam jetuar me prindërit gjithmonë, deri në fund kur ata vdiqën, tani e kanë ata. Ajo ka nevojë për një psikolog në fakt. Zoti vonoi, po nuk harroi./Panorama/a.m.