Këshilli i Prokurorisë së Përgjithshme vendosi dje të transferojë me detyrë në Apelin e Shkodrës ishdrejtorin e Drejtorisë Gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme, Arben Dollapaj. Ai ka pasur përplasje direkte me kryeprokurorin Adriatik Llalla që nga viti 2015 e në vazhdim.
Arben Dollapaj, i cili është anëtar i Këshillit të Prokurorisë, i ka kundërshtuar hapur në disa mbledhje emërimet apo transferimet e prokurorëve, të kryera nga Llalla, me argumentin se kanë qenë sipas interesave personale të kryeprokurorit Llalla, pa u bazuar në ligj.
Goditja e parë për prokurorin Dollapaj ndodhi në mars 2016, kur drejtoria gjyqësore që ai drejtonte u shkri papritur me urdhër të kryeprokurorit Llalla.
“Vazhdova të punoj aty ku më transferoi në një drejtori tjetër, por si anëtar i Këshillit kam kundërshtuar me argumente emërimet apo shkarkimet e paligjshme që janë kryer nga prokurori i Përgjithshëm. Pas vendimit të Këshillit për të më transferuar, shpresoj që Presidenti i Republikës të mos e lejojë këtë paligjshmëri”, tha dje prokurori Dollapaj gjatë një komunikimi me gazetën “Panorama”.
Ai u shpreh se si pasojë e qëndrimit kundër emërimeve dhe tansferimeve të paligjshme të prokurorëve, emri i tij është futur në listë për transferim në Shkodër, si një hakmarrje personale nga kryeprokurori Adriatik Llalla. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit, ai ka mbajtur fjalën para kolegëve prokurorë, ku ka thënë se propozimin e Llallës për shkurtimin e organikës dhe transferimin në Shkodër e vlerëson si një hakmarrje, për qëndrimin që ka mbajtur në Këshill. “Në disa mbledhje të këshillit janë paraqitur propozime që bien ndesh me ligjin ‘Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë’. Kërkesat e disa prokurorëve të paraqitura në bazë të nenit 24, pika 3 dhe 27/a, të ligjit për konkurrim si drejtues (për t’u ngritur në detyrë) janë trajtuar nga prokurori i Përgjithshëm si dhënie pëlqimi për transferim në bazë të nenit 24, pika 1 e po këtij ligji, gjë që është haptazi në kundërshtim me vullnetin e prokurorit dhe me parashikimin ligjor. Kjo praktikë është në kundërshtim edhe me rregulloren”, ka thënë Dollapaj.
Sipas tij, gjatë kësaj periudhe nga prokurori i Përgjithshëm është paraqitur në grup dhënia e mendimit për transferimin e prokurorëve në një rast për rreth 30 prokurorë dhe në dy raste të tjera për rreth 21 prokurorë. Kjo praktikë është bërë në shkelje të parashikimeve të ligjit dhe me qëllimin e vetëm për të minimizuar rolin e Këshillit të Prokurorisë dhe për bërë zgjidhje preferenciale duke i dhënë një koperturë formale. “Momenti i fundit ka qenë një bisedë (informale) e zhvilluar në datat 913 mars 2016, ku pas kërkesës së tij, i kam dhënë mendimin tim për dorëheqjen e imponuar të paraqitur njëherësh në datën 8 mars, të 4 drejtuesve të prokurorive të shkallës së parë Dibër, Lezhë, Përmet, Tropojë”, ka thënë Dollapaj.
m.m