Gjykata e Tiranës ka dënuar me 16 vite burg, Emiljano Tashon, i cili është dhe i akuzuari kryersor për vrasjen e Enton Nikajt disa muaj më parë në Dajt.
Sakaq, gjykata rrëzoi prokurorisë, për dënimin e katër të akuzuarve për vrasje në bashkëpunim të Nikajt, ngjarje e ndodhur në një lokal në Linzë më 11 nëntor të vitit të kaluar.
Organi i akuzës kishte kërkuar që katër të akuzuarit të dënoheshin me mbi 20 vjet burg si autorë të vrasjes, por Gjykata ka dënuar vetëm atë që ka shkrepur armën me akuzën e vrasjes. Ndërkohë Ervis Martinaj dhe Bujar Hasani u dënuan me nga 1 vit. Po ashtu, ish-oficeri i Policisë, Mirsad Kuçana u dënua me 1 vit e katër muaj, ndërsa Erjon Biraci me 2 vjet për përkrahje të autorit të krimit.
KERKESA E PROKURORISE: 116 VITE BURG PËR 4 TË AKUZUARIT
Prokuroria e Tiranës kërkoi një dënim në total prej 116 vitesh burgim për 4 të pandehur, të akuzuar për “vrasje me paramendim”, në bashkëpunim, gjatë një konflikti ku ka mbetur i vdekur me armë zjarri shtetasi Enton Nikaj, ngjarje e ndodhur në dt. 11.11.2015 tek lokal “Muraga”, në zonën e Linzës. Procesi ndaj të pandehurve është zhvilluar me gjykim të shkurtuar dhe ata përfitojnë uljen me 1/3 e dënimit në rast se shpallen fajtorë nga gjykata.
Në konkluzionet e saj përfundimtare, Prokuroria e Tiranës kërkoi konkretisht, dënimin si më poshtë:
- Emiljano Tasho, hetuar me masë sigurimi “Arrest në burg”, të dënohet me 35 vjet burgim, për akuzat: “Vrasje me paramendim” në bashkëpunim; “Vjedhja me dhunë”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake…”; dhe “Plagosje e lehtë me dashje” në dëm të shtetasit Ismet Gaxherri;
- Bujar Hasani, hetuar me masë sigurimi “Arrest në burg” në mungesë, të dënohet me 28 vjet burgim, për akuzat: “Vrasje me paramendim” në bashkëpunim; “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake…”; dhe “Kanosje” në dëm të shtetasit Ismet Gaxherri;
- Mirsad Kuçana, hetuar me masë sigurimi “Arrest në burg”, të dënohet me 28 vjet burgim, për akuzat: “Vrasje me paramendim” në bashkëpunim; “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake…”; dhe “Plagosje e lehtë me dashje” në dëm të shtetasit Ismet Gaxherri;
- Ervis Martinaj, hetuar me masë sigurimi “Arrest në burg” në mungesë, të dënohet me 25 vjet burgim, për akuzat: “Vrasje me paramendim” në bashkëpunim; dhe “Plagosje e lehtë me dashje” në dëm të shtetasit Ismet Gaxherri;
Gjithashtu, Prokuroria e Tiranës kërkon edhe:
- Erjon Biraçi, hetuar me masë sigurimi “Arrest në burg”, të dënohet me 5 vjet burgim, për akuzën: “Përkrahja e autorit të krimit”.
BW/d.i.