20 persona janë shoqëruar e po merren në pyetje në komisariatin e policisë së Durrësit, për grabitjen e parave në një pikë të shkëmbimit valutor në Shkozet.
Të shoqëruarit janë persona me precedentë penalë, kryesisht në fushën e vjedhjeve, të skeduar nga policia, apo ata që kanë dalë nga burgu pas amnistisë së fundit, pohuan burimet.
Mëngjesin e sotëm, rreth orës 09:00 të mëngjesit, dy persona të maskuar e të armatosur më një pistoletë, kanë grabitur një shumë parash, përafvrsisht 8 milionë lekë në pikën e shkëmbimit valutor.
Autorët ende të paidentifikuar, kanë hyrë nga dera e pasme e pikës valutore dhe i kanë vënë në kokë pistoletën punonjësit, i cili ka mbetur tërësisht i hutuar dhe nuk ka bërë asnjë rezistencë ndaj grabitësve. Një prej tyre ka marrë paratë që gjendeshin në arkë, ndërsa autori i dytë ka kërcënuar me pistoletë punonjësin.
Sipas burimeve, kanë qenë të shumtë dëshmitarët okularë që kanë parë dy personat e maskuar, të cilët janë larguar në këmbë kur kanë dalë nga shkëmbimi valutor. Burimet policore bënë me dije se janë sekuestruar pamjet e sigurisë në vendngjarje dhe janë marrë shenjat e gishtërinjve që mund të kenë lënë autorët. javanews/ a.k