Dy orë para mbledhjes se Komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi, Partia Demokratike ka unifikuar qëndrimin e saj për këtë reformë. Në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit, deputetët janë njohur nga Eduard Halimi me qëndrimin e Partisë Demokratike për reformën në drejtësi.
Burime bëjnë me dije se demokratët nuk do të pranojnë që të preken kompetencat e kreut të shtetit dhe për ta kjo çështje është e panegociueshme.
Në projektin kushtetues, Presidenti ka një rol formal në emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës së Lartë Administrative, mbi propozimet konkrete që vijnë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.
Në mungesë të kryedemokratit Basha, i cili ndodhet në Bruksel pasi merr pjesë në Samitin e PPE për Ballkanin Perëndimor, mbledhja u drejtua nga nënkryetari i partisë Edi Paloka. (bw / a.r)