Partia Demokratike ka vijuar me akuzat për Ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj. Nga selia e PD, deputetja Albana Vokshi tha se ka kërkuar informacion për tendera të dyshimtë por nuk ka marë asnjë përgjigje nga ministria.
Ja deklarata e Vokshit:
Kryeministri Rama dhe Ministri Beqaj, pasi ndanë 340 milionë euro me klientët e tyre në shëndetësi, kanë urdhëruar vartësit të bllokojnë çdo lloj informacioni. Këtu kam disa kërkesa për informacion të dërguara javët e fundit në Ministrinë e Shëndetësisë, QSUT, Fondin e Detyrueshëm të Sigurimeve Shëndetësore. Edhe pse afati prej 2 javësh, sipas ligjit “Për Statusin e Deputetit” ka kaluar, asnjë përgjigje nuk ka ardhur”, tha ajo.
Me anë të kësaj shkrese, i jam drejtuar Ministrit dhe QSUT, në cilësinë e deputetes dhe Kryetares së Komisionit Parlamentar, ku kam kërkuar informacionin për aparaturat e trajtimit të sëmundjeve tumorale. Por Beqaj dhe Drejtoria e QSUT mban në sirtar kërkesën bashkë me informacionin.
– Pse Ministria nuk shpjegon për arsyet e mosvënies në punë të akseleratorit linear, inauguruar pak muaj më parë?
-Pse edhe pas vënies ne funksionim para pak ditësh, vetëm 2 pacientë kanë kryer terapinë, ndërkohë që numri i pacientëve duhet të ishte mbi 50 në ditë??
– Pse ministria refuzon të dërgojë dokumentacionin e plotë të pajisjeve të kobaltit? Pse nuk shpjegon, se përse njëra prej pajisjeve sot është prishur dhe tjetra nuk funksionon ashtu siç duhet??”, tha Vokshi.
Në të dyja rastet, Drejtuesit e QSUT-së bllokojnë informacionin. Nga frika, apo bashkëfajësia, administratorja e QSUT shkel çdo afat kushtetues për të dhënë informacionin e kërkuar nga Parlamenti. Por bllokada e informacionit vazhdon për të gjitha praktikat korruptive të firmosura nga ministri i tenderëve dhe koncesioneve. Në disa shkresa radhazi, i kam kërkuar Ministrit Beqaj praktikat e koncesionimit të 3 shërbimeve: sterilizimi, hemodializa dhe kontrolli periodik i shëndetit. Ministri ka refuzuar, në shkelje të Ligjit, të dërgojë të dhënat e kërkuara”, tha deputetja e PD-së.
Me anë të kësaj shkrese me datë 13 prill, i kam kërkuar informacion të detajuar drejtueses së Fondit të Detyrueshëm të Sigurimeve Shëndetësore. Kam kërkuar të gjitha praktikat që janë kryer dhe pagesat për koncesionarin e Check-up. Por edhe ky institucion, ka refuzuar të japë informacionin, duke shkelur ligjin. Urdhri politik dhe korruptiv për të mbrojtur korrupsionin dhe Vilmën, sjell shkelje e paligjshmëri të reja”, tha ajo.
Partia Demokratike i bën thirrje edhe një herë drejtuesve të këtyre institucioneve të sjellin informacionin e kërkuar, siç parashikon ligji. Dita do të vijë kur Beqaj e njerëzit e tij me të cilët ka kapur shëndetësinë do të përgjigjen para ligjit për të gjitha këto krime që kanë bërë e po bëjnë ndaj qytetarëve. Partia Demokratike është e vendosur dhe do të përdorë të gjitha mjetet institucionale dhe ligjore për të zbardhur vjedhjet dhe abuzimet ne shëndetësi!/a.m.