Rusia nuk ka përkrahur kërkesën e Kosovës për pranim në UEFA, por do të respektojë vendimin që doli nga Kongresi i së martës. Kështu ka thënë Vitali Mutko, ministri rus për Sportin. Natyrisht me qëndrim doli edhe Rusia, e vlerësuar për kohë të gjatë aleate e Serbisë dhe vend që ka penguar ndërkombëtarizimin dhe përfaqësimin e sportit kosovar.
“Rusia nuk përkrah këtë vendim, por futbolli europian ka të bëjë me demokracinë. Vendimi është marrë nga shumica dhe duhet respektuar”, ka thënë Mutko për agjencinë “RSport”.
Rusia mund të jetë mikpritëse e Kosovës, nëse përfaqësuesja ia del të mbyllë me sukses të plotë ciklin e parë eliminator në të cilin pritet të paraqitet, atë për Botërorin e vitit 2018. Federata e Futbollit e Serbisë ka kundërshtuar ashpër pranimin e Kosovës, por puna e bërë prej saj nuk dha fryte. Në fakt, serbët po shkonin drejt realizimit të qëllimit kur nuk u votuan ndryshimet në statut.
Megjithatë, situata në Kongres mori drejtim tjetër dhe kërkesa e Kosovës për pranim mori 28 vota, që ishte minimumi i mundshëm për pranim. Serbët kanë paralajmëruar vazhdimin e betejës për të mbajtur të izoluar futbollin kosovar.
“Në një luftë të pabarabartë, ia kemi dalë të pengojmë ndryshimin e statutit, i cili na mundëson të vazhdojmë luftën tonë”, ka thënë Tomislav Karaxhiç, kryetar i Federatës së Futbollit të Serbisë. Ministri i Rinisë dhe Sportit i Serbisë, Vanja Udovxhiç, vendimin e UEFA-s e ka cilësuar shkatërrues për sportin dhe ka thënë se Serbia do të përkushtohet për të hedhur poshtë këtë vendim.
Ndërkohë, Marko Gjuriç, shef i zyrës së Serbisë për Kosovën ka thënë se Federata e Futbollit e Serbisë do të hedhë UEFAn në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv për vendimin për të pranuar Kosovën. Dy zyrtarët qeveritarë serbë kanë folur në një konferencë të jashtëzakonshme.
“Asnjëherë nuk do të humbim derisa luftojmë. Kanë iluzione, nëse ndonjëherë mendojnë se do të ndalim luftën”, ka thënë ndër të tjera Gjurixh. Vendimin e kanë kundërshtuar edhe zyrtarë të tjerë serbë, ndërsa mediat serbe i kanë kushtuar hapësirë të madhe kësaj humbjeje të Serbisë. Vëmendje e veçantë i është kushtuar në vendet që mund të preken nga ky vendim, që mund të humbin lojtarë.
Norvegjia ka votuar për pranimin e Kosovës, ndonëse frikësohet se mund të humbasë ndonjë lojtar që eventualisht mund të vendosë të prezantojë Kosovën në të ardhmen. “Tani paraqiten shumë çështje sa u takon lojtarëve nga Kosova”, ka thënë Terje Svendsen, kryetar i Federatës së Futbollit të Norvegjisë.
Panorama/d.i.