Biznesmeni i arrestuar se i dha ryshfet gjyqtarit Ibrahim Hoxha për t’i falsifikuar një testament pronësie dhe për ta favorizuar në gjyqin që do bëhej sot i ka shpëtuar për mrekulli një atentati dy vjet më parë.
Atentat, për të cilin policia akuzoi burrin e mbesës së tij, pikërisht për çështjen e pronësisë, për të cilën ai ‘bleu’ së fundi gjyqtarin Hoxha.
Historia
Atentati me armë ndodhi më 11 shtator të 2014, tri vjet pasi shtëpia e tij u shkatërrua nga shpërthimi i një sasie tritoli. Tregtari Dritan Jazexhiu, aso kohe 45 vjeç mbeti i plagosur me 2 plumba, nga 16 të shtëna që u lëshuan drejt tij.
Ngjarja ndodhi rreth orës 07:00 të mëngjesit, në hyrje të dyqanit të tij që ndodhej në anë të unazës së brendshme të kryeqytetit, përballë tregut të madh.
Jazexhiu, pronar i disa dyqaneve me dyshekë e tapete në Tiranë, në momentin kur është qëlluar me breshëri automatiku, sapo kishte hapur derën e dyqanit dhe po futej brenda.
Burime për Panorama nga Policia e Tiranës thanë se autori i dyshuar i ngjarjes është 28-vjeçari Klajdi Hoxholli, burri i mbesës së tregtarit të plagosur (vajzës së motrës).
Sipas të njëjtave burime, Hoxholli është identifikuar nga vetë i dëmtuari, por edhe nga targa e automjetit me të cilën lëvizte.
Në dëshminë e tij, i dëmtuari ka deklaruar se dhëndri i motrës së vet nuk ka zbritur fare nga makina, por e ka qëlluar atë me automatik nga dritarja e automjetit. Ndërsa në vendngjarje shenjat e plumbave dalloheshin lehtësisht, pasi disa kishin goditur xhamin vetratës së dyqanit e disa të tjerë muret.
Sipas Policisë, vetëm 2 plumba e kanë goditur 45-vjeçarin, i cili fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën, por i dyshuari ka qëlluar plot 16 herë në drejtim të tij, me qëllim për ta vrarë.
Menjëherë pas krimit, i dyshuari, i cili kishte vetëm pak ditë që kishte dalë nga burgu ku mbahej po për një sulm ndaj Jazexhiut, është larguar nga vendi i ngjarjes. Ai është shpallur në kërkim policor me akuzën e “vrasjes së mbetur në tentativë”.
KONFLIKTI
Më shumë se një konflikt pronësie, plagosja e tregtarit Dritan Jazexhiu, sipas Policisë është një hakmarrje nga burri i mbesës së tij, i cili vazhdimisht pretendonte se ishte arrestuar pa të drejtë për eksplozivin ndaj tij.
I dyshuari, Klajdi Hoxholli, sipas burimeve nuk ka vetë konflikt të drejtpërdrejtë prone me dajën e bashkëshortes, por problemet në lidhje me disa dyqane të lëna trashëgimi nga vëllai i tregtarit, i ka pasur vjehrra e të dyshuarit, pra motra e autorit.
Kur Hoxholli u arrestua më 23 tetor të vitit 2011, për shpërthimin në banesën e tregtarit në rrugën “5 Maji” në Tiranë, familjarët e tij kishin një alibi të fortë që sipas tyre tregonte që 28-vjeçari ishte arrestuar gabimisht.
Madje vetë vjehrra e të dyshuarit, Donika Lazaj, që është njëkohësisht motra e tregtarit Jazexhiu, deklaronte se dhëndri i saj nuk është i përfshirë në këtë histori, pasi konflikti i pronësisë ishte mes saj dhe të vëllait.
Nga ana tjetër, vetë prindërit e Dritan Jazexhiut, Selami dhe Lide Jazexhiu, i kanë vënë në dispozicion prokurorisë, CD me pamjet filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë së një lokali në hyrje të pallatit ku kishte ndodhur shpërthimi në rrugën “5 Maji”.
Sipas dy të moshuarve, kamerat kishin filmuar çdo lëvizje jo vetëm të Dritanit, por edhe lëvizje të banorëve të tjerë dhe provojnë që i arrestuari nuk ka kaluar aty në asnjë moment të ditës, apo edhe më përpara, shkruan Panorama.
Me gjithë këto dëshmi e prova, Klajdi Hoxholli sërish u mbajt në paraburgim për muaj me radhë dhe sipas Policisë ky dyshohet të ketë qenë motivi i ngjarjes së djeshme. Javanews/ a.k