Nga Granit Xhaka te Xherdan Shaqiri e Adnan Januzaj, janë këta disa prej yjeve që mund ti bashkohen përfaqësues së Kosovës pas pranimit të saj në Uefa. Pas disa ditësh Kosova me shumë mundësi do të pranohet edhe në qeverinë e futbollit Botëror, Fifa dhe në këtë mënyrë do të ketë mundësi të marrë pjesë në eliminatoret e Botërorit, Rusi 2018, pasi gjasat janë që të bëhet pjesë e një prej dy grupeve kualifikuese që kanë përbërje 5 skuadra. Gjithsesi me dicka të tillë që duket mëse e sigurtë vëmendja shkon te futbollistët që do të jenë pjesë e përfaqësues së Kosovës në fushatën e saj të parë eliminatore.
Trajneri Albert Bunjaki ka tashmë një skuadër të aftë për tu përballur denjësisht me cdo kundërshtar, megjithatë të gjithë do të dëshironin që pjesë e kësaj përfaqësueseje të bëhen edhe lojtarë të tillë si Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri e Adnan Januzaj. Federata kosovare e futbollit ka dalë tashmë me një qëndrim zyrtar dhe ai është se futbollistët që janë pjesë e kombëtares shqiptare nuk do ti bashkohen skuadrës së Albert Bunjakit.
Në këtë kontekst vëmendja shkon te lojtarët me origjinë kosovare që luajnë për përfaqësuese të tjera. A do të bashkohen Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri me përfaqësuesen Kosovës është kjo pyetja që mbizotëron aktualisht në kokën e të gjithëve. Duke qenë se Kosova nuk ka patur më herët një përfaqësuese që njihej me të drejta të plota në Uefa dhe Fifa, të gjithë futbollistët kosovarë që luajnë për ekipe të tjera lejohet të bëhen pjesë e skuadrës së drejtuar nga Albert Bunjaki.
Të shohim se cili do të jetë vendimi i Granit Xhakës dhe Shaqirit por e sigurtë është pas pranimit në Uefa me Kosovën do të bashkohet Adnan Januzaj. Lojtari i Manchester United ka vendosur të lërë Belgjikën për tu bërë pjesë e vendit të tij të origjinës. Shani Tarashaj, lojtari i Grasshopper por që në verë do të luajë për Evertonin, ka vetëm pak kohë që është bërë pjesë e përfaqësueses zvicerane por edhe ai mund të jetë një opsion për Kosovën, shkruan Supersport.
Dy emra të tjera janë të dy vëllezërve Valon dhe Veton Berisha që aktualisht janë pjesë e përfaqësues së Norvegjisë. I pari luan për Red Bull Salzburgun në Austri ndërsa vëllai më i vogël, Vetoni militon në radhët e Greuther Furth në Bundesligën e dytë gjermane. Janë me të vërtetë të shumtë futbollistët kosovarë që luajnë në përfaësuese të tjera, por nëse të gjithë ata do të vendosin të luajnë për vendin e tyre të origjinës atëherë Kosova do të kishte në dispozicion një skuadër për tu patur frikë edhe nga gjigandët e futbollit europian dhe atij Botëror. javanews/ a.k