Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Bruksel, u takua me Komisioneren e Lartë për Punësimin dhe Politikat Sociale në Komisionin Evropian, Marianne Thyssen.
Në fokus të takimit ishin politikat e punësimit, politikat sociale, arsimi profesional dhe përpjekjet që po bën Shqipëria për fuqizimin e arsimit dhe formimit profesional, për ta lidhur atë me kërkesat e tregut të punës.
Ministri Klosi bëri një panoramë të zhvillimit të arsimit profesional në Shqipëri, ku në 25 vitet e fundit sistemi arsimor u orientua keq, drejt diplomave që nuk lidheshin me kërkesat e tregut të punës.
Duke vënë theksin tek përpjekjet e mëdha që po bën Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Klosi i kërkoi Komisioneres Thyssen të shihet mundësia që diplomat e shkollave shqiptare të arsimit profesional, të akreditohen, në mënyrë që të njihen në vendet e BE-së.
Ministri Klosi gjithashtu i kërkoi znj.Thyssen që tashmë në kuadër të projekteve me BE-në, institucionet publike dhe shoqëria civile të asistohen për aplikime për fonde të BE-së, tashmë që Shqipëria është vend kandidat i Bashkimit Evropian.
Thyssen vlerësoi punën e bërë për transformimin e sistemit të shkollave të arsimit profesional, duke siguruar se do të mbështesë mekanizmat e bashkëpumit të Shqipërisë dhe vendeve të BE-së.
Ministri Klosi ftoi Komisioneren e Lartë të Bashkimit Europian për vizitë zyrtare në Tiranë, ftesë të cilën znj.Thyssen e mirëpriti me kënaqësi. (javanews.al / a.r)