Policia ka arrestuar mbrëmë, bashkë me gjyqtarin Ibrahim Hoxha, edhe djalin e tij, një biznesmen dhe një ish-punonjës të Policisë së Shtetit. Arrestimi u bë në kushtet e flagrancës në një kohë kur gjyqtari do të merrte një shumë parash prej 600 mijë lekësh për të ndikuar në vendimin gjyqësor që do të merrte sot.
Historia u zbulua nga një hetim 6 mujor i kryer nga Drejtoria për Krimin Ekonomik e Financiar dhe Sektori Për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Seksionin Për Hetimin e Korrupsionit në Prokurorinë Për Krimet e Rënda.
Në operacionin e koduar “Berati 2”, u arrestuan:
Ibrahim Hoxha, 57 vjeç, lindur në Berat dhe banues në Tiranë, me detyrë Gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Ledion Hoxha, 25 vjeç, lindur në Berat dhe banues në Tiranë, me detyrë Jurist në një firmë.
Dritan Jazenxhiu, 48 vjeç, lindur në Tiranë dhe banues në Tiranë, biznesmen.
Novruz Gajda ,48 vjeç, lindur në Berat dhe banues në Tiranë, (ish polic në Drejtorinë e Policisë Qarkut Berat).
Të katër këta persona u kapën në flagrancë në kohën që djali i gjyqtarit Ibrahim Hoxha, shtetasi Ledion Hoxha, mori 600 000 (gjashtëqind mijë) lek të reja nga Novruz Gajda.
Këto para do ia jepte gjyqtarit me qëllim ndikimi në gjyqin civil me palë Dritan Jazenxhiu për një çështje civile pronësie, vendim i cili do të shpallej më datë 03.05.2016 ora 9:30, te Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Parat janë paguar nga Dritan Jazenxhiu, palë në proces civil me gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, Ibraim Hoxhën.
Në cilësinë e provave materiale u sekuestruan 600 000 lekë, një automjet tip Benz me targa AA 005 NC, dhe 4 telefona celularë.
Panorama/d.i.