SPECIALE JAVANEWS / Hetimi i atyre që duhet të bëjnë drejtësinë në këtë vend, duket se është bërë një mision i pamundur. Ndonëse ka kaluar një vit nga kallëzimi i bërë nga Inspektorati i Lartë i Kontrollit të Deklarimit të Pasurisë, i cili ka gjetur 40 milionë euro pasuri kryesisht të politikanëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve, për të cilat dyshohet se janë para të pista, organi i akuzës vijon të heshtë në mënyrë të pashpjegueshme.
JavaNews kontaktoi me zëdhënësin dhe zyrtarë të e organit të Akuzës për të marrë një prononcim, lidhur me faktin se në çfarë faze të hetimit ndodhet Prokuroria, në lidhje me këtë raport. Por ana paradoksale e përgjigjes qëndron në faktin se zyrtarët e Prokuroris bëjnë të paditurin në lidhje me këtë raport. Fillimisht na u premtua se do të kishte një prononcim për këtë çështje, sapo të merreshin të dhëna.
Më pas asnjë përgjigje. Është e paqartë se përse Prokuroria hesht, kur është fjala se denoncimi nuk vjen nga kafenetë, por ai mbështet mbi një raport zyrtar, i cili ose duhet hedhur poshtë, në rastin kur nuk është i vërtetë, ose duhet të bëhen publike të dhënat për këto hetime.
ILDKP vs. Prokuroria
Raporti i ILDKP-së drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, krahas raportimit të shifrës prej 40 milion euro, të cilat dyshohen se janë para të pista, të vëna si pasojë e aferave në sistemin e drejtësis, ngre shqetësimin edhe për bashkëpunimin ndërinstitucional. Sipas këtij raporti, disa prej këtyre kallëzimeve penale kanë të bëjnë edhe me zyrtarë të lartë, deputetë e ish-deputetë, gjyqtarë e prokurorë, ish-ministra, drejtorë drejtorish, kryetarë bashkie e komune, të cilët janë dërguar për ndjekje penale për pasuri të fshehura e të pajustifikuara nga burime të ligjshme financiare, të cilat kapin në total vlerën prej 30-40 milion euro.
“Për këto shuma ekzistojnë dyshime të arsyeshme, të bazuara në prova, se janë të ardhura të përfituara nga aktivitete kriminale si korrupsioni, pastrimi i parave, etj”-thuhet në raportin e këtij institucioni.
Por ajo që ngre me më shumë shqetësim ILDKP-ja, është mosbashkëpunimi i Prokurorisë së Përgjithshme, duke mos hetuar rastet e denoncuara për pasuri të dyshimtë. Kjo praktikë duket se vijon ende të zbatohet edhe në këto momente.
Fakte nga Raporti
“Ajo çka vihet re në raportin vjetor të Prokurorit të Përgjithshëm, por edhe në vendimet e pushimit të çështjeve të referuara nga ILDKPKI është se, ndonëse ka një përshkrim teknik të statistikave nuk bëhet asnjë analizë mbi problematikat e çështjeve, shkaqet e pushimit të tyre, apo mbi arsyet e numrit të ulët të dosjeve të dërguara për gjykim. Po ashtu, nuk ka asnjë reflektim për shqetësimet e ngritura nga ILDKPKI, gjatë këtyre dy viteve, për mënyrën e trajtimit të kallëzimeve penale, për standardet e dyfishta në favor, si gjithmonë, të zyrtarëve më të lartë e më të pasur, etj. E rëndësishme është të theksohet se rastet e subjekteve të kallëzuar nga ILDKPKI, për veprën penale të parashikuar nga neni 257/a/1/2, 287, etj, të Kodit Penal dhe që janë pushuar nga Prokuroria, kanë qenë flagrante përsa i përket mosmbulimit të aseteve me burime të ligjshme, fshehjes dhe deklarimeve të rreme. Përpjekjet e subjekteve deklaruese për t’i justifikuar pasuritë e deklaruara apo të zbuluara nga bizneset që dalin me humbje, me dhurata në vlera të mëdha, ose me justifikime për shuma marramendëse monetare të sjella nga emigracioni, shitje e publikime librash, përfitime nga punë me kohë të pjesshme, etj, kanë qenë haptazi të pabesueshme, të pambështetura në prova materiale apo shkresore për ILDKPKI, e të cilat gjithashtu do të ishin lehtësisht të vërtetueshme nëpërmjet hetimeve të thjeshta dhe me një vështirësi minimale edhe nga ana e organit të akuzës, nëse do të ishin kryer”, nënvizohet në raport.
Personat nën akuzë
Shihet qartë se raporti në fjalë është një akuzë e drejtpërdrejtë e ILDKP-së në adresë të Prokurorisë së Përgjithshme, e cila ka zgjedhur si strategji të sajën të heshtë. Raporti jep dhe të dhëna të tjera tronditëse duke zbuluar edhe sfondin e personave përgjegjës mbi të cilët rëndojnë akuzat për pastrim parash të cilët janë kryesisht zyrtarë të lartë, deputetë e ish-deputetë, gjyqtarë e prokurorë, ish-ministra, drejtorë drejtorish, kryetarë bashkie e komune, të cilët janë dërguar për ndjekje penale për pasuri të fshehura e të pajustifikuara nga burime të ligjshme financiare, të cilat kapin në total vlerën prej 30-40 milion euro.
“Për këto shuma ekzistojnë dyshime të arsyeshme, të bazuara në prova, se janë të ardhura të përfituara nga aktivitete kriminale si korrupsioni, pastrimi i parave, etj. Asnjë prej këtyre shqetësimeve dhe parimeve ligjore bazë, të parashtruara nga ILDKPKI, nuk janë mbajtur në konsideratë nga prokuroria, ose më saktë ato janë anashkaluar qëllimshëm, duke treguar mungesën e profesionalizimit dhe integritetit të prokurorëve në kryerjen e detyrës. Për rrjedhojë theksojmë se, me këto vendime po minohet seriozisht veprimtaria e ILDKPKI. Duhet theksuar se jo vetëm ILDKPKI, për çështjet e referuara prej saj, por edhe partnerët ndërkombëtarë janë të shqetësuar për dallimin e dukshëm midis çështjeve të referuara, çështjeve të dërguara për gjykim dhe atyre të gjykuara me subjekte të shpallur fajtorë dhe sidomos për faktin që në gjyq dërgohen vetëm zyrtarë të niveleve të ulta. Çështjet e zyrtarëve të lartë, me miliona euro pasuri të fshehura e të pajustifikuara me burime të ligjshme financiare, pushohen ose nuk fillohen fare”-thuhet ne raportin e ILDKP-së.
(javanews.al / Me.Ar)