Policia kantonale e Cyrihut ka arrestuar ditë më parë dy kosovarë, Albert Spahiun dhe Genc Zogajn, ish-ushtarë të UÇK-së. Ata kërkoheshin nga drejtësia serbe, e cila i ngarkon për krime ndaj civilëve serbë gjatë kohës së luftës, raporton Sonntagszeitung, transmeton KTV.
Sipas deklaratës së vëllait të Genc Zogajt, ai aktualisht ndodhet në burgun “Prison de Champ-Dollin” në Puplinge të Zvicrës dhe pritet ekstradimi i tij për në Serbi.
Të arrestuarit i kanë mohuar akuzat dhe kanë kundërshtuar ekstradimin në Serbi, kurse Ambasada e Kosovës në Bernë ka shpjegime lidhur me rastin.
Për më tepër, ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i ka dërguar letër Simonetta Sommaruga, kryetares së Departamentit Federal zviceran për Drejtësi dhe Polici. (b.an)