Kohët e fundit emrat e shumë femrave po dalin në skenë pjesëtare të bandave të trafikut të drogës. Nuk mungojnë as rastet kur femrat shndërrohen në “koka” të grupeve të fuqishme të trafikut ndërkombëtar të drogës. Por veprimtari fitimprurëse është edhe trafiku ndërkombëtar i armëve, një prej bizneseve më të mëdha të botës së krimit. Në Shqipëri, një vend ku pas vitit 1997 gjetja e një arme ishte mjaft e lehtë, për çmim të ulët, funsionojnë dhjetëra grupime që merren me trafik armësh.
E cilësuar edhe nga bandat e huaja si “parajsë” për trafik armësh, shumë persona nga vende të ndryshme kanë bërë këtë biznes në Shqipëri. Disa kohë më parë policia shqiptare arriti të zbulojë një linjë trafiku që drejtohej nga një shtetase greke.
Ajo arriti të largohet nga Shqipëria por u arrestua nga autoritetet italiane ku qëndronte e fshehur pasi ishte shpallur në kërkim në Shqipëri. Bëhet fjalë për shtetasen greke Aliki Lias Buratzi, 49-vjeçarja që dyshohet për kalimin e disa ngarkesave me armë nga Shqipëria. Kjo shtetase i kalonte armët në shtetin grek, kryesisht, por edhe në vende të tjera ku i shiste me çmime disa herë më të larta. 49-vjeçarja është proceduar penalisht në mungesë, dhe i’u dorëzua autoriteteve shqiptare nga Italia. Autoritetet e këtij vendi nuk kanë gjetur prova për veprimtairnë e saj në vendin e apenineve, edhe pse dyshohet se ka fituar qindra mijëra euro nga kjo veprimtari në Itali. Aliki Lias Buratzi është dënuar me 10 vite burg në Shqipëri për “trafik armësh”, por procesi ndaj saj pritet të vijojë në apel./Javanews/a.m.