Të dënuarit me burgim të përjetshëm shumë shpejt mund të lënë qelitë. Kështu parashikon paketa me ndryshimet e reja në Kodin Penal. Ndryshimet janë propozuar nga misioni EURALIUS në Tiranë, strukturë kjo e Bashkimit Evropian, e cila asiston autoritetet shqiptare për reformën në drejtësi. Teksa Ministria e Drejtësisë ka në plan hartimin e një Kodi të ri Penal, sigurisht në bashkëpunim me misionet ndërkombëtare, EURALIUS ka propozuar një draft me ndryshime emergjente.
Një nga ndryshimet më të rëndësishme, çka mund të hapë edhe një debat të madh publik, parashikon lirimin me kusht të të dënuarve me burgim të përjetshëm. Konkretisht drafti rrëzon paragrafin e parë në nenin 65 të Kodit Penal në fuqi, në të cilin thuhet se nuk lejohet lirimi me kusht për të dënuarin me burgim të përjetshëm. Neni 65 i ndryshuar, parashikon lirimin e të dënuarve me burgim të përjetshëm, nëse ata plotësojnë tre kushte. “Një i dënuar që vuan dënimin me burgim të përjetshëm mund të lirohet me kusht nga gjykata, nëse ai ka vuajtur të paktën njëzet e pesë vjet burgim dhe nëse gjatë periudhës së vuajtjes së dënimit ka qenë i shkëlqyer dhe që qëllimi i riedukimit të tij është arritur”, thuhet në nenin 14 të draftit të ri, i cili ndryshon nenin 65 të Kodit Penal.
Kodi Penal në fuqi
Kodi Penal në fuqi shuan shpresat për të dënuarit me burgim të përjetshëm, për të lënë një ditë qelinë. Paragrafi i parë i këtij neni ndalon lirimin e të dënuarve më burgim të përjetshëm. Ndërkaq, në paragrafin e dytë, thuhet se vetëm në raste të jashtëzakonshme i dënuari me burgim të përjetshëm mund të lirohet me kusht kur: Ka vuajtur jo më pak se njëzet e pesë vjet burgim dhe, gjatë vuajtjes së dënimit ka mbajtur sjellje shembullore dhe çmohet se i është arritur qëllimit të dënimit për edukimin e tij. Pra, ndryshimet e reja rrëzojnë fjalën “e jashtëzakonshme”, duke mundësuar lirimin të dënuarve me burgim të përjetshëm.
Për të miturit
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me të miturit. Drafti i ri, parashikon që burgimi i të miturve nuk mund të jetë më i shkurtër se gjashtë muaj apo më i gjatë se sa dhjetë vjet, dhe gjatësia e tij përcaktohet plotësisht në vjet dhe muaj. Por, në rastin e një krimi ose në rastin e dënimeve të përkohshme me burgim, burgimi i të miturit mund të zgjasë deri në 17 vjet. Kodi Penal në fuqi, në nenin 51, parashikon që për të miturit, që në kohën e kryerjes së veprës penale nuk kanë mbushur moshën 18 vjeç, dënimi me burgim nuk mund të jetë më shumë se gjysma e dënimit që parashikon ligji për veprën penale të kryer.
Ndryshimet
Sipas EURALIUS, qëllimi i ndryshimeve të propozuara është për të kontribuar dhe të për dhënë garanci ligjore, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut të autorëve të veprave penale. Ndryshimet synojnë gjithashtu t’u japin prioritet rehabilitimit të autorëve të veprave penale më pak të rrezikshme në vend të burgimit, me qëllim që të kontribuojnë në uljen e popullimit të burgjeve. Ndryshimet nuk rregullojnë Shërbimin e Provës dhe as nuk rishikojnë funksionet e prokurorëve./Shqiptarja/a.m.