Fashionistja Armina Mevlani ka pozuar për herë të parë për një revistë prestigjioze ndërkombëtare, siç është “Velvet”, në versionin italian.
Ish-Miss Albania ka ndarë me ndjekësit e saj në Instagram momente nga realizimi i këtij seti mbresëlënës përmes një videoje të shkurtër, ku bie në sy luksi i veshjeve dhe grimi profesional.
Bashkë me këtë eksperiencë të veçantë dhe setit të realizuar nga Eugenio Qose, Armina vjen në këtë rrëfim të parë pas fotove ku ishte e pranishme në të njëjtën tavolinë me familjen e partnerit të saj, Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha.
Tri vite pasi nisën historinë e tyre të dashurisë, Armina dhe Shkëlzeni, përveçse po bashkëjetojnë, shkëmbejnë vizita në familjet e njëritjetrit, që nënkupton se tashmë lidhja është zyrtarizuar.
Po si ndihet në rolin e nuses në familjen e njohur të politikës shqiptare, karrierën si sipërmarrëse e biznesit të veshjeve, bashkë- jetesën me Shkëlzen Berishën e hapat më tej, dhe disa sekrete të mbajtjes së trupit në formë ajo i rrëfen për gazetën “Panorama”.
Armina zbulon më shumë se si ia del të menaxhojë lidhjen e saj, edhe pse i duhet të udhëtojë shpesh jashtë vendit për punë, dhe kujdesin për formën ideale fizike që e bën të jetë e gatshme për të pozuar si modele në çdo stinë…
PJESE NGA INTERVISTA
Fotot pranë familjes së Shkëlzenit patën bujë në media. Si ndodhi që u bashkuat në një tryezë të ngushtë, dhe a takoheni më shpesh tani?
Unë e kam pohuar edhe më parë që takohemi shumë shpesh, në fundjava apo evente familjare sigurisht.
Ke qenë në shtëpinë e tyre për të gatuar ndonjëherë për prindërit e Shkëlzenit, pasi je shprehur se të pëlqen kuzhina?
Unë jam shprehur thjesht që di të bëj tre apo katër pjata dhe ato di t’i bëj mirë. Nuk është pasioni im gatimi, thjesht kur kam miq të ftuar, më pëlqen t’i respektoj duke bërë diçka të vogël si supë, mish apo makarona. Për prindërit e Shkëlzenit ka ndodhur që kam qenë dhe kam asistuar për t’i ndihmuar, por kaq. Mendoj se ata ushqehen shëndetshëm dhe kjo është diçka shumë e mirë dhe që na bashkon.
Po Shkëlzeni ka qenë i pranishëm në ndonjë darkë të familjes tënde?
Zeni është pjesë e jetës sime, ashtu sikurse është edhe familja ime, ndaj ato nuk mund të qëndrojnë të ndara. Sigurisht që Zeni ka qenë pjese e drekave apo darkave të mia familjare.
(Panorama / a.r)