Partia Socialiste ka paditur ish-kryeministrin Sali berisha sa i përket thirrjeve të tij për armatosjen e popullatës.
Padia ka si objekt “Thirrje për armatosje ndaj rendit kushtetues” dhe “Thirrje publike për vepra të dhunshme”, vepra penale këto të parashikuara në ligj.
Ka qenë deputeti Taulant Balla ai që ka depozituar në Prokurorinë e Përgjithshme padinë në fjalë. Ndërkohë, Berisha akuzohet edhe për deklarata të rreme që ngjallin panik.
Deklarata e plotë e Berishës shqiptuar nga foltorja e Parlamentit ku i bën thirrje popullit që të armatoset:
“Po e çoni vendin drejt një konflikti të pashmangshëm të të gjitha llojeve. Unë kam një kërkesë për shqiptarët sot ju bej thirrje qytetarëve shqiptarë ju bëj thirrje për sigurinë e tyre të armatosen, të sigurojnë armë për të mbrojtur veten, vatrat, pasuritë e tyre sepse nuk kanë asnjë siguri. Ju bëj thirrje, ju bëj thirrje. Nëqoftë se ju si organizatë kriminale mendoni të terrorizoni opozitën dhe qytetarët me bandat tuaja ju garantoj se opozita dhe qytetarët janë të gatshëm tua kthejnë ju me të gjitha mjetet dhe të mos gjeni vrimë miu ku të futi. Të mos gjeni vrimë miu ku të futi. Po, po, të armatosen, se armatosen amerikanët, armatosen të gjithë qytetarët që duan të mbrojnë veten e tyre. Të sjellim ligjin, tu japim të drejtë qytetarëve të mbajnë armë. Me këtë organizatë kriminale nuk ka siguri, me këtë organizatë kriminale nuk ka rend, me këtë organizatë kriminale nuk ka qetësi. Këta këtu që hidhen sigurisht hidhen sepse janë të lidhur me bandat, këtyre sigurinë ua japin bandat, bandat meme uniformë dhe bandat pa uniformë.
Opozita është këtu për qëndruar dhe do qëndrojë fuqishëm. Ju që bëni lojën e armëve ndaj qytetarëve, bëni lojën e armëve, kërcënimet ndaj opozitës, jemi të gatshëm t’u përgjigjemi ju në mënyrën më solemne. Vetëm një gjë, ju dhe ata që ju japin zemër ju jeni nga më frikacakët e kësaj toke. Jeni si minjtë dhe do kërkoni vrima për tu futur dhe nuk do i gjeni dot. Nuk mundet ju të trajtoni shqiptarët në këtë mënyrë, nuk mundet ju të përzëni, spastroni shqiptarët nga vendi i tyre, një mashtrues, një nastradin.”