Që prej ditës së sotme, bashkia e Shkodres ka në dispozicion buxhetin e ri për vitin 2016. Miratimi i këtij buxheti, shifra e të cilit është në 1 miliard e 655 milion lekë, pasi kaloi në disa faza konsultative me grupet e interesit, mori miratimin e Këshillit Bashkiak të Shkodrës. Edhe pse gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak grupi i këshillatrëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, i kryesuar nga Sokol Lekaj, përcolli kritika jo të vogla në drejtim të disa prej pikave të këtij buxheti, në ndryshim nga kolegët e tyre këshilltarë të Partisë Socialiste, votat e tyre në procesin e votimit ishin pro miratimit të këtij buxheti. “Angazhimi më i madh nis tani dhe sfidat që e presin bashkinë janë të shumta, prandaj duhet përkushtim dhe profesionalizëm”, tha në fjalën e saj menjëhërë pas mbylljes së procesit të votitmit kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi.
Ajo tha se 9 votat kundër dhe dy abstenimet i përkthen si një votë politike, por edhe si një zë kritik rreth atyre prioriteteve të vendosura nga ky institucion për këtë vit, ndërsa nënvizoi se “miratimi i këtij buxheti është më i rëndësishmi për bashkinë, pasi i hap rrugë nisjes së investimeve dhe projekteve të parashikuara për tu zbatuar gjatë 2016”. “Pas reformës territoriale Bashkia jonë tashmë përfshin një territor rreth 50 herë më të madh, me një sipërfaqe prej 872.71 km2 dhe një popullsi dy herë më e madhe prej rreth 204,000 banorë të regjistruar. Bashkia e re e Shkodrës ka në përbërjen e saj 11 njësi administrative: Shkodër, Ana e Malit, Bërdicë, Dajç, Guri i Zi, Postribë, Pult, Rrethinat, Shalë, Shosh, Velipojë. Ajo ka nën administrimin e saj një qytet dhe 93 fshatra.”, bëri të ditur Ademi.
Ajo theksoi se menjëherë pas zgjedhjeve të qershorit 2015, u përfshimë në një proces të vështirë të bashkimit administrativ dhe funksional të Bashkisë. Gjatë këtyre muajve procesi i trazicionit është shoqëruar me vështirësi në menaxhimin, shpërndarjen dhe administrimin e burimeve njërëzore, është përballur me mungesën e burimeve financiare për vazhdimin e ofrimit të shërbimeve në territor. Procesi i transformimit dhe tranzicionit akoma nuk ka përfunduar. Një sërë aktesh normative, udhëzime dhe urdhëresa të paqarta kanë ështirësuar procesin duke sjellë vonesa, ripërsëritje të procedurave, mungesë koordinimi ndërmjet institucioneve vendore e qëndrore.
Duke folur për problemet që ekzistojnë aktualisht në territorin e Shkodrës ku konstatohen zona me diferenca të dallueshme përsa i përket infrastrukturës ekszsituese rrugore, shërbimeve publike, gjendjes së objekteve të arsimit dhe shërbimit shëndetësor, gjendjes ekonomike dhe sociale të komuniteteve, Ademi premtoi se do të ketë shumë shpejt ndërhyrje në to. “Përmirësimi në vijimesi, sidomos i shërbimeve publike, kujdesi, pastrimi e mbrojtja e mjedisit, mirëmbajta e infrastrukturës ekzistuese, përmirësimi me furnizim me ujë të pijshëm, rritja e sigurisë, ndriçimi i ambjenteve publike, përmirësimi i aksesit dhe lëvizshmërisë, mbeten sfidë e bashkisë së Shkodrës. /Gasper Marku / ATSH