Tre mijë biznese të vogla në të gjithë vendin do të kalojnë në të mëdha ose do të përfshihen në skemën e TVSH-së, pasi e kanë kaluar xhiron vjetore prej 5 deri në 8 milionë lekë. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve u ka dërguar një letër këtyre subjekteve, ku u kërkon që deri me 31 maj të regjistrohen vullnetarisht në kategorinë tjetër. Pas kësaj date do të nisin kontrollet dhe nëse verifikohen moskorrektësi, bizneset do të gjobiten.
3 mijë biznese në të gjithë vendin do të riklasifikohen, duke kaluar në biznes i madh ose duke u përfshirë në skemën e TVSH-së.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve u ka dërguar një njoftim të gjitha këtyre subjekteve që të bëjnë regjistrimin në kategorinë tjetër në mënyrë vullnetare deri më 31 maj, pasi është evidentuar se e kanë kaluar xhiron 5-8 milionë lekë që i klasifikon ata në të vegjël.
Erion Prifti: Bizneset kanë deklaruar me deklaratën e tyre vjetore një xhiro mbi 5 milion lekë ose një xhiro mbi 8 milion lekë. Për të gjitha këto biznese që janë identifikuar, janë krahasuar shifrat dhe me xhiron e kasës që ata kanë përdorur gjatë 2015 dhe nga kryqëzimi i të dhënave për ato biznese që i kanë plotësuar të dyja kushtet u është çuar njoftimi që duhet të riklasifikohen. Dhe i ftojmë të vinë pranë administratës tatimore që të bëjnë regjistrimet për regjime të caktuara për të cilat janë ftuar. Në të gjithë vendin janë 3 mijë biznese të evidentuara si për brezin 5 apo për brezin mbi 8 milion lekë.Dhe në këtë 3 mijëshe është dhe një kategori biznesesh që në xhiron e tyre të deklaruar vjetore përafrojnë jashtëzakonisht shumë me kufirin minimal të regjistrimit TVSH apo për të kaluar në biznes të madh.
Sipas njoftimit që Tatimet u kanë dërguar bizneseve, nëse deri më 31 maj subjekti i identifikuar se ka kaluar xhiron nuk regjistrohet në mënyrë vullnetare, atëherë pranë tij do të shkojnë dy punonjës që do të bëjnë verifikim dhe kontroll.
Dhe në rast se do të kontatohen moskorrektësi, atrëherë biznesi do të jetë objekti i masave ligjore ndëshkuese. / ORA