Republikanët denoncojnë se në Bashkinë e Himarës po u merret toka pronarëve të ligjshëm, për t’ua dhënë klientëve të pushtetit. Kreu republikan Fatmir Mediu i referohet vendimit për shpronësimin dhe shtetëzimin e tokës, që prek 123 familje himariote nën pretendimin se ata nuk kanë qenë banues të zonës në vitin 1991, kur u imponua ligji 7501.
Për kryerepublikanin Fatmir Mediu, himariotët treguan se dinin të respektonin të drejtën e pronës në vitin 1991, duke bërë ndarjen e saj jo sipas ligjit 7501, por duke i shkuar të zotit. Mediu u bën thirrje pronarëve te mbrojnë të drejtën e tyre të ligjshme kundër qeverisë që i dhanë votën.
Një ditë më parë, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut me anë të një deklarate i cilësoi veprimet e qeverisë në caqet e një gjenocidi pronësor. Kreu i saj Vangjel Dule i kërkoi kryeministrit Rama “të ndalë aksionin selektiv dhe tjetërsimin e pronave”, ndërkohë që i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar “të shohë si trajtohet komuniteti historik i Himarës nga qeveria e një vendi kandidat të BE”.