Partia Demokratike ka akuzuar qeverinë se po zhvat qytetarët me anë të pagesave të energjisë elektrike. Në një dalje publike para mediave, deputetja e PD-së, Jorida Tabaku deklaroi se abuzimet e energjisë i ka konfirmuar edhe Enti Rregullator i Energjisë.
“Sot do të vijojmë me denoncimin e aferave të qeverisjes së këtyre 3 viteve me një nga flamujt e kësaj qeverie, të ashtuquajturën Reformë në sektorin Energjetik. Në fillim të vitit 2015, opozita kritikoi ashpër qeverinë sepse rriti çmimin e energjisë elektrike për familjarët dhe gjithashtu për bizneset. Na akuzuan se opozita po mashtronte, sepse çmimi real i energjisë elektrike po ulej. Realiteti është plotësisht i kundërt, dhe raporti i ERE është rikujtesa për çdo shqiptar që sot paguan një faturë më të hidhur për energjinë. Sipas ERE, çmimi i energjisë elektrike për konsumatorët u rrit me rreth 13 për qind gjatë 2015. Ky raport thekson se të gjithë tarifat e energjisë u rritën për të gjitha kategoritë e konsumatorëve. Akoma më tej, më shumë se gjysma e konsumatorëve të energjisë elektrike që harxhojnë më pak se sa 300 kv pra 56% e familjeve shqiptare kanë paguar mesatarisht 6% më shumë se sa në vitin 2014. Një familje e varfër, që jeton me më pak se 5 USD në muaj ka paguar falë të ashtuquajturës reformë mesatarisht 9.52 lek për kilovat në 2015 ndërsa në 2014 ajo paguante mesatarisht 8.89 lek për kilovat.”, theksoi ajo.
Ndër të tjera ajo shtoi se raporti i ERE nxjerr në pah gënjeshtrën e qeverisë.
“Raporti ERE nxjerr edhe njëherë në pah gënjeshtrën qeveritare se çmimi mesatar do të ulej për të gjithë konsumatorët. Duke faktuar edhe një herë se sot të gjithë konsumatorët, biznese apo familje, paguajnë 11.22 lekë/kilovat nga 9.22 që paguanin më parë. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, shqiptarët janë sot peng i një aksioni që mbahet si flamuri i qeverisë, ku punonjësit e OSHEE u shndërruan në policët që burgosnin qytetarët për mospagimin e energjisë. Ndërkohë që qeveria raporton se ka ulur deficitin e OSHEE përmes kërbaçit ndaj qytetarëve më të varfër dhe të pambrojtur të vendit, raporti ERE edhe një herë nxjerr zbuluar propagandën.
Eshtë e vërtetë që OSHEE ka arritur të mbledhë 12.25 mld lekë detyrime të prapambetura nga ana e qytetarëve nga viti 2007-2014, por nuk duhet harruar që borxhi që kjo kompani ka krijuar nga administrimi rilindas është pak më i lartë, 13.29 mld lekë vetëm në një vit. Shifrat janë kokëforta, shqiptarët sot paguajnë një çmim më të lartë energjie ndërsa OSHEE ka rritur detyrimet që konsumatorët kanë ndaj saj. Reforma energjetike ka fatin e çdo reforme tjetër të nisur nga kjo qeveri, gënjeshtër, propagandë dhe asnjë rezultat.
OSHEE nga ana tjetër mbetet institucioni që promovon dhe krijon tendera nga më korruptivët duke rënduar shqiptarët me fatura që vetëm për vitin e shkuar kanë qenë mbi 91 mijë të tilla. Janë këto mbi-faturime që i shtohen barrës së madhe që çdo qytetar paguan në sportelet e OSHEE, para që dalin nga xhepat e varfëruar të shqiptarëve për të shkuar në llogaritë e fryra të oligarkëve të qeverisë, përmes tenderave korruptivë duke filluar ne trajtimin e stresit, trajnimin e stafit, parashikimin e motit e çdo shërbim tjetër të paimagjinueshëm.
Vetëm në 3 muajt e parë të vitit kjo kompani ka tenderuar 23 mld lekë pa asnjë eficensë, e vetëm për dy vite në shpenzime luksi janë harxhuar 21 mln usd. Ndërkohë që, qytetarët në të gjithë Shqipërinë sot janë duke protestuar për rritjen e çmimit të energjisë për mbifaturimet, OSHE vazhdon abuzimet, ndarjen e parave të gjakut të shqiptarëve. Kjo është oligarkia e korrupsionit që sundon sot, me abuzime e plaçkitje në çdo degë të qeverisë, ku nga më të dalluarat në këtë drejtim mbetet OSHEE dhe sektori i energjisë.”, përfundon deklarata.
REAGON ENTI RREGULLATOR I ENERGJISË
Pas deklarates se deputetes Tabaku, Enti Rregullator i Energjisë sqaron opinionin publik se bazuar në vendimmarrjen e Bordit të ERE, datë 26.12.2014, çmimi për konsumatorët familjarë u unifikua në 9.5 lekë/kËh, nga ai me dy fasha përkatësisht 7.7 lekë/kWh dhe 13.5 lekë/kWh që ishte.
“Në analizë të të dhënave të raportimeve të OSHEE sh.a, OST sh.a dhe KESH sh.a mbi çmimin mesatar të shitjes së energjisë elektrike për vitit 2015 rezulton se:
Çmimi mesatar i realizuar për konsumatorët familjarë në vitin 2015 rezulton të jetë 9.52 Lekë/kWh. Nëse struktura e çmimeve të konsumatorit familjar për vitin 2014 do të zbatohej për peshat specifike të sasisë së konsumuar gjatë vitit 2015, çmimi mesatar që do të paguanin familjet do të ishte 11.06 Lekë/kWh. Shifër kjo, dukshëm më e lartë edhe se ajo e realizuar në vitin 2015 prej 9.52 Lekë/kWh.
Ne argumentim të këtij konkluzioni sqarojmë se:
- Sasia e konsumuar në sistemin elektroenergjitik shqiptar në 2015 është 6.77% më e ulët se sasia e konsumuar në raport me vitin 2014. Evidentimi i konsumatorëve që merrnin energjinë në mënyrë të paligjshme (konsumonin pa limit) dhe faturimi korrekt për këtë kategori, solli ndër të tjera edhe zvogëlimin e konsumit të energjisë elektrike në total.
- Humbjet e vitit 2015 janë 31.34% në raport me humbjet e vitit 2014 prej 37.81%, të cilat tregojnë një ulje të ndjeshme prej 6.47 pike perqindje. Kjo diferencë në uljen e humbjeve të energjisë elektrike i korrespondon një sasie në total prej 587 GWh.
- Duke parë strukturën e konsumit të energjisë elektrike nga konsumatorët familjarë në vitin 2015, vihet re një ulje e ndjeshme e sasisë se konsumit të energjisë elektrike për nivelin deri në 300 kWh nga konsumatoret familjarë. Për vitin 2015, krahasuar me vitin 2014, kjo sasi është ulur me 37.7 pikë përqindje (nga 79.7% në 42%).
Këto tregues faktojnë rritjen e performancës së Operatorit të Shpërndarjes dhe Sektorit Elektroenergjitik në tërësi për vitin 2015.
Çdo interpretim i ndryshëm i këtyre të dhënave përbën një qendrim të pargumentuar e joprofesional.
Lidhur me Raportin e Vitit 2015, Enti Rregullator i Energjisë do të japë shpjegime të plota gjatë raportimit përpara Komisionit përkatës të Kuvendit të Shqipërisë.”- thekson ERE.
BW