Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha dha një deklaratë për mediat pas mbeldhjes së kryesisë së forcës politike që ai drejton. Basha informoi mediat rreth konfirmimit të disa sekretarëve dhe drejtuesve të departamenteve që i kryenin funksionet të komanduar. Sipas Bashës, në kryesi u diskutua edhe për programin qeverisës, që sipas tij do t’i shpjegohet çdo qytetari nga strukturat vendore.
“Kemi mbyllur programin tonë 1 vit para zgjedhjeve. Sot ne jemi në një diskutim të hapur me qytetarët që do shtrohet te çdo fshat, te çdo lagje, te çdo qytetar. Me gjykim të ftohtë ashtu siç i ka hije një populli evropian, të vendosë për të zgjedhur mes ofertës dhe rrenës, kjo është rrugë për ta evropianizuar vendin, të tjerat janë broçkulla”, tha Basha.
Më tej ai sqaroi edhe vendimin për shtimin e disa njësive vendore të partisë Demokratike.
“U pa e nevojshme në bazë të popullsisë shtimi i 14 degëve të reja. Kemi sot 67 degë në territor, nga të cilat 35 degë do ti nënshtrohen edhe një procesi zgjedhor. Forcimi i strukturave parashuikon një strukturë zgjedhore”, tha Basha.