Treguesi “Prodhim i Brendshëm Bruto” (PBB), i cili është treguesi kryesor i rritjes ekonomike, përfaqëson atë pjesë të vlerës monetare të produkteve dhe shërbimeve që krijohet brenda vendit. Shqipëria pati një rritje të shpejtë të PBB-së në periudhën 1992-2008 (rritja mesatare vjetore reale: 6.1%), duke patur si motor për këtë rritje kërkesën e jashtëzakonshme – ose më saktë, urinë – për mallra të konsumit të gjerë dhe për banesa më dinjitoze. Motori i mësipërm pati si karburant kryesor dërgesat valutore të emigrantëve dhe paratë e nëndheshme të trafiqeve ilegale.
Duke filluar nga 2009-ta, ritmi i rritjes së PBB-së është ngadalsuar ndjeshëm, duke e arritur nadirin e tij në vitin 2013 (shihni grafikun e bashkëngjitur). Sidoqoftë, në periudhën 2014-2015, është vënë re një rigjallërim i zbehtë i ritmit të rritjes së PBB-së.
Në kushtet kur akumulimi i borxhit publik ndër vite ka arritur nivelin 72.5% të PBB-së, janë investimet nga burime private ato që mund të bëhen karburanti kryesor për ringjalljen afatgjatë të rritjes në sektorët e ndërtimit, agrobiznesit, turizmit, minierave, energjisë elektrike etj. Përveç efektit në anën e ofertës së PBB-së, këto investime private mund të ndikojnë edhe në anën e kërkesës, sepse duke krijuar vende të reja pune, rrisin të ardhurat e konsumatorëve që kanalizohen drejt konsumit të brendshëm (i cili është në stanjacion për shkak të përgjysmimit të dërgesave valutore të emigrantëve). Gjithashtu, investimet private mund t’i bëjnë produktet shqiptare më tërheqëse për konsumatorët e huaj.
Sidoqoftë, investimet e brendshme private dekurajohen nga gadishmëria e ulët e bankave shqiptare për të kredituar biznesin, meqënëse përqindja e kredive të këqia është shumë e lartë (18.6% e portofolit të kredive të dhëna deri më sot). Nga ana tjetër, invetstimet e huaja private dekurajohen nga ritmi i ulët i reformave, sidomos në drejtësi dhe në pronësinë mbi tokën. Parashikimet e FMN-së për investimet e huaja të drejtëpërdrejta në vitet në vazhdim janë më të larta se në 2015-ën (si rezultat i punimeve për TAP-in dhe për hidrocentralët e Devollit), por në 2019-ën, ato parashikohen të kthehen përsëri në nivelin e 2015-ës. Zbatimi i plotë i reformës së pritshme në drejtësi dhe zgjidhja e çështjeve të pronësisë së tokës deri atëhere, mund të shërbejë për vazhdimin e kurbës së rritjes së investimeve të huaja pas 2019-ës.
*Shkëputur nga artikulli im “A MACROECONOMIC PICTURE OF ALBANIA”, botuar në revistën “FOLLOW BUSINESS ALBANIA” (http://www.followbusinessalbania.com/)