“Cdo student që do të hyjë në universitet duhet të paraqesë kartelën e vaksinimit, pasi në të kundërt do i refuzohet regjistrimi”. Gjithçka parashikohet në ligjin “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”, i cili për herë të parë e shtrin këtë detyrim te institucionet e arsimit të lartë, përveç kopshteve e shkollave, ku aplikohej deri më tani.
“Për çdo fëmijë që hyn për herë të parë në çerdhe, kopsht, shkollë apo institucione të arsimit të lartë, është e detyrueshme pajisja e tij, nga institucionet shëndetësore, me një dokument që vërteton vaksinimin e kryer sipas kalendarit përkatës. Pajisja me këtë dokument dhe ruajtja e tij nga drejtoritë përkatëse të institucioneve të mësipërme është e detyrueshme”, thuhet në nenin 18 të këtij ligji.
Ndërkaq, përfaqësues të Institutit të Shëndetit Publik sqarojnë për “Gazeta Shqiptare” se kjo masë është një përafrim me legjislacionin evropian, ndërkohë që ata që nuk i kanë kryer të gjitha vaksinat sipas kalendarit do të duhet t’i plotësojnë. “Është një përafrim me çdo vend tjetër evropian, të cilat kërkojnë kartelat e vaksinimit dhe një dokument shtesë për të vërtetuar vaksinimin. Ndaj, me këtë ligj ne jemi përshtatur me vendet e tjera. Edhe ata që nuk i kanë bërë vaksinat e detyrueshme sipas kalendarit, normalisht duhet t’i bëjnë. Verifikohen kartelat e vaksinimit e në rast se nuk është përmbushur i gjithë kalendari rekomandohen edhe vaksinat që duhet të bëhen”, u shprehën specialistët. Duke iu referuar praktikës së ndjekur deri më tani në kopshte e shkolla, të njëjtët specialistë thanë se më pas do të ushtrohen kontrolle nga Inspektorati Shtetëror Shëndetësor dhe Instituti i Shëndetit Publik nëpër fakultete, ku përveç studentëve do të verifikohen dhe pedagogët. Ndërkaq, duke qenë se ligji ka vetëm një muaj që ka hyrë në fuqi, pritet të nxirren aktet nënligjore për të përcaktuar procedurat e sakta që do të ndiqen në këtë drejtim.
Vaksinimi
Sipas ligjit, të publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare, vaksinimi është i detyrueshëm për fëmijët nga 0-18 vjeç, sipas kalendarit përkatës të vaksinimit, për personat që rrezikohen dhe përbëjnë rrezik për të tjerët, për të penguar përhapjen e sëmundjeve infektive, si dhe për personelin shëndetësor, personelin që kujdeset për fëmijë, persona të moshuar apo persona me aftësi të kufizuara. Po ashtu, vaksinimi për të fituar imunitetin aktiv është i detyrueshëm edhe për studentët e shkencave mjekësore, të regjistruarit në specializime afatgjata në specialitete mjekësore, si edhe në specializime e praktika afatshkurtra në disiplinat mjekësore./GSH