Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shprehet se është lajm i gëzuar, Lumturimi i 38 martirëve të Kishës Katolike nga Papa Françesku, një drejtësi e vënë në vend për klerikët e martirizuar në ferrin komunist, për sakrificën e tyre më të lartë, për lirinë dhe besimin.
Kryetari i PD-së Basha në një deklaratë të mërkurën pasdite shprehet se “është lajm i gëzueshëm dhe prekës Lumturimi i 38 martirëve të Kishës Katolike nga Papa Françesku”.
“Ky dekret është vendosje e një drejtësie të shumëpritur për vuajtjet e klerikëve, për torturat që kaluan në ferrin komunist, për sakrificën e tyre më të lartë, që lirinë për të besuar, lirinë e ndërgjegjes e paguan me jetën e tyre. Mehr Licht, ishin fjalët e fundit të Vinçens Prenushit, dhe me të vërtetë, pak dritë më në fund për shpirtin e tyre, për veprën e tyre që frymëzon sot e kësaj dite”, shprehet Basha.