Ishin javët e fundit kur demokratët e ndjenin erën e ndryshimit për të lënë pushtetin. “Rilindja” po vinte në prag dhe zgjedhjet e qershorit 2013, që afronin me shpejtësi, e kishin lënë administratën “Berisha” me zemër të ngrirë për atë që do të ndodhte më pas. Sulmet verbale të Edi Ramës dhe eksponentëve të tjerë të PS në opozitë se gjithçka do të “skanohej” se çfarë kishte ndodhur gjatë qeverisjes së PD, po i detyronte “ekspertet demokratë” të mendonin se çfarë duhet të bënin për të mbrojtur sadopak “zullumin” që kishin gatuar në zyrat e shtetit.
Këtu fillon edhe historia “famëkeqe”, ndër më të rëndat e administratës, për “fshirjen e të dhënave në serverin e tatimeve”, një argument, që gjatë vitit 2015, u kthye në mollën e sherrit mes dy forcave politike PD e PS, me akuza të ndërsjellta ndaj njëra- tjetrës, dhe që do të kulmonin me vendimin e kuvendit të tetorit 2015, për “Ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për serverin e tatimeve”, nga parlamenti shqiptar, votuar me 110 vota pro.
Çështja që kulmoi me ngritjen e komisionit, sipas të dhënave të komisionit hetimor që drejtohet nga Arben Ristani (PD) kishte filluar në 2 prill 2013….Zyrtarët e tatimeve morën informacion se në mbrëmje në orën 21:24 të 2 prillit, serveri i tatimeve ishte sulmuar dhe ishin fshirë të dhënat.
Por sipas një dokumenti të dytë që gjendet në dosjen hetimore të komisionit “Ristani”, 22 ditë më vonë, kur Tatimet lajmërojnë zyrtarisht SHISH-in për këtë “megaskandal”, sulmi pretendohet të ketë ndodhur në 3 prill 2013, në orën 08:10 të mëngjesit…
Çfarë ka ndodhur gjatë gjithë natës, pothuajse përreth 12 orë, në serverin e tatimeve? Kush i ka fshirë të dhënat dhe pse dokumentet zyrtare të tatimeve tregojnë orare të ndryshme për sulmin ndaj serverit?
Janë këto gabime njerëzore, apo gabime të qëllimshme (që përkthehet në vjedhje me anë të mashtrimit, veper penale) që kanë ndihmuar biznese për të ndryshuar të dhënat e bilanceve, apo fshirje të gjobave atëherë kur pushteti dukej se po ikte? Kjo, duhet të ishte detyra kryesore e komisionit hetimor “Ristani”. Por Arben Ristani, asnjëherë nuk e hapi arkivën e dokumenteve që e ka në dosje për “serverin e tatimeve” dhe që besohet se është një fshirje e qëllimshme e të dhënave nga vetë administrata e PD.
Renald Rista, ish-drejtori i Drejtorisë së Teknologjisë dhe Informacionit e kishte filluar punën si zakonisht atë mëngjes të 3 prillit 2013. Askush nuk di të thotë përveç atij, nëse gjatë natës, si njeriu kryesor i mbikqyrjes së të dhënave të bizneseve online, ndokush duhet ta kishte marrë në telefon i shqetësuar se serveri i tatimeve ishte sulmuar.
Në dosjen e Ristanit në komisionin hetimor parlamentar, evidentohet shkresa e parë e hartuar dhe konceptuar prej tij, që mban datën 4 prill 2013. Ngjarja kishte ndodhur në orën 21:24 të darkës së 2 prillit 2013, kur serveri i tatimeve ku mblidheshin të dhënat e bizneseve, me bilancet e tyre, apo gjobat tatimore për kompanitë, apo edhe masa të tjera, ishte fshirë plotësisht.
Nuk dihet se cila ka qenë arsyeja që ish-drejtori Rista, priti dy ditë për të informuar me shkresë zyrtare drejtorin e tij të Përgjithshëm të Tatimeve të kohës, z.Gazmir Spahija. Në një memo hartuar për drejtorin, ai specifikon se “u identifikua se serveri i faqes së web-it www.tatime.gov.al është sulmuar dhe janë ndryshuar të dhënat në të”.
“Pas verifikimeve të bëra në server, u konstatua se sulmi ishte i qëllimshëm”, informon drejtori, eprorin e tij më të lartë.
Në shkresë, Rista informon Spahinë se menjëherë ka vënë në dijeni dhe ka thirrur ALCIRT, Agjencinë Kombëtare për Sigurinë Kompjuterike, e cila do të merrej me kontrollin e gjurmëve që ishin lejuar në server dhe për të parandaluar sulmet në të ardhmen. “Ky sulm ka qenë i mirëprogramuar pasi janë fshirë (hyrje daljet) në këtë server rreth orës së kryerjes së ndërhyrjes gjë e cila e bën të vështirë identifikimin e autorëve, megjithatë, çdo informacion po analizohet me kujdes për analizimin e këtyre të dhënave”.
Drejtoria e Përgjithshme pas kësaj ndërhyrjeje, nuk u duk shumë e shqetësuar. Zyrtarët ndoshta kanë menduar se duhet ta mbyllin brenda përbrenda megaskandalin, ku sipas të dhënave që media ka publikuar më vonë, u dyshua se është ndërhyrë në mbi 4.3 milionë dokumente tatimore dhe të dhëna të sistemit. Kanë informuar ALCIRT, kanë punuar së bashku, e kanë kthyer sistemin në kontroll të plotë, por, kishte vetëm një problem. Ndërhyrja në server kishte lënë gjurmë, madje edhe shkresa.
E duke menduar se pushteti po rrokullisej me shpejtësi, dhe duke menduar se kushdo që do të ulej në karrige më pas do të merrej me këtë problem, për të larë duart nga “krimi” që sidoqë të ishte dhe kushdo ta kishte bërë, kishte përmasa gjigande, hodhën hapin tjetër: të informonin strukturat e shtetit që merren me hetimin e specializuar.
Në dosjen hetimore të Arben Ristanit në komisionin parlamentar, gjendet një shkresë “sekret” e datës 24 prill 2013 drejtuar kreut të Shërbimit Informativ të Shtetit Visho Ajazi me informacion “jo të detajuar” të megaskandalit.
Askush nuk mund të thotë përveçse hetimet e specializuara (por tashmë të mbyllura) të Prokurorisë, se pse Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve informoi SHISH-in, 22 ditë pasi skandali dhe ndërhyrja në serverin e tatimeve, kishte ndodhur. Ndoshta duke e ditur se më vonë me ndryshimin e qeverisjes, letrat do të hapeshin, zyrtarët menduan të informojnë institucionet më të rëndësishme.
Veçse në shkresën drejtuar SHISH, ka një detaj që i ka shpëtuar organit tatimor të drejtuar nga PD. Gazmir Spahija shkruan se ndërhyrja në serverin e tatimeve kishte ndodhur “në datën 03 prill 2013 në orën 08.10” kur “nga ana jonë u identifikua se serveri i web-it www.tatime.gov.al është sulmuar dhe janë ndryshuar të dhënat për të”. Nëse sulmi u evidentua në 2 prill ne orën 21:24 të mbrëmjes, për SHISH thuhet se ngjarja u evidentua në 3 prill ne oren 08:10. Atëherë, çfarë ka ndodhur në harkun kohor të 12 orëve?
Shkresa “sekrete” e administruar në dosjen e Ristanit mban të njëjtat informacione të shkresës që i ishte drejtuar në fillim të prillit drejtorit të përgjithshëm. Por në fund me një kërkesë për ndihmë pa ditur se pse.
“Ky sulm ka qenë i mirëprogramuar, pasi janë fshirë loget (hyrje-daljet) në këtë server rreth orës së kryerjes së ndërhyrjes, gjë e cila e bën të vështirë identifikimin e autorëve, çdo inoformacion po analizohet me kujdes për analizimin e këtyre të dhënave. Funksionet e shërbimeve elektronike u kthyen në normalitet dhe pas analizave të kryera rezulton që faqa është sulmuar. Sulmuesit janë futur në faqe nëpërmjet modulit të ngarkimit të lajmeve. Kërkojmë asistencën tuaj për identifikimin e sulmuesve dhe trajtimin e këtij rasti për të parandaluar mundësinë e këtyre sulmeve në të ardhmen” shkruan në kërkesën drejtuar SHISH, ish drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve Gazmir Spahija.
Hetimet
Prokuroria njofton në tetor 2015 Kuvendin e Shqipërisë se ka përfunduar hetimet për “megaskandalin” e serverit të tatimeve. Pasi hetoi prokuroria dhe nuk nxori gjë në dritë, këtë punë do ta merrte përsipër Komisioni Hetimor Parlamentar i drejtuar nga Arben Ristani.
Në dosjen e tij, janë edhe këto letra që Newsbomb.al i disponon dhe që nuk janë vënë në qendër të debateve dhe diskutimeve. Arsyet mund t’i dinë vetëm deputetët dhe kryetari demokrat i komisionit. Mos ndoshta një nxjerrje e këtyre të dhënave rihap çështjen më të debatuar të vitit të kaluar? E ndërkohë, pse deputetët e PS nuk kërkojnë hetimin e fshirjes së të dhënave në serverin e Tatimeve në prillin e vitit 2013, vetëm dy muaj para zgjedhjeve të përgjithshme dhe kush janë bizneset që përfituan nga ky veprim? A ka pasur dëm në buxhetin e shtetit? Ky ndoshta do të duhet të ishte hetimi i Ristanit./NewsBomb