Rreth 20,000 njerëz në burgjet amerikane janë dënuar gabimisht. Një ndër 25 të pandehur të dënuar me vdekje, ka dalë më vonë i pafajshëm. Këto statistika tronditëse janë marrë nga Regjistri Kombëtar i Faljeve dhe Procedurave të Akademisë Kombëtare të Shkencave.
Statistikat e fundit nga Nisma e Politikave të Burgut tregojnë se më shumë se 2.4 milionë burra dhe gra janë pas hekurave në më shumë se 4,500 burgje të ndryshme, shifra më e lartë e të burgosurve në botë.
Njerezit me ngjyre janë të përfaqësuar në mënyrë të zhdrejtë në burgjet amerikane. Sipas Shoqatës Kombëtare për Avancimin e Popullsisë me Ngjyrë (NAACP) numri i afrikano-amerikanëve në burgje është gati 1 milionë.
Teknologjia ka zbuluar një numër personash të dënuar pa të drejtë, të cilët jo vetëm kanë vuajtur ose vuajnë dënime të gjata me burg, por edhe janë dënuar me vdekje për krime të kryera nga të tjerët.
Sistemi amerikan i Drejtësisë nuk ka frikë për t’u marrë me këtë problem dhe për të bërë diçka për ta zgjidhur. Prokurori i distriktit të Bruklinit, Ken Thompson është shembulli më i qartë.
Modeli i Bruklinit
Në komunën e Bruklinit, të qytetit të Nju Jorkut, ekziston një program që prej vitit 2011 që merret me shqyrtimin e çështjeve të shumë prej atyre që kryejnë dënime me burgim të përjetshëm pasi janë gjetur fajtor për vrasje. Në vitin 2014, prokurori Thompson ngriti një Grup për Rishikimin e Dënimeve, që tani konsiderohet model për juridiksione të tjera për t’u përdorur.
Ndihmës prokurori Mark Hale, veteran për 33 vjet me zyrën e prokurorisë së Bruklinit, tani është shefi i Grupit për Rishikimin e Dënimeve. Ai i tha Zërit të Amerikës se dënimet janë hequr për 19 persona, 18 burra dhe një grua. Disa prej tyre ishin të burgosur, disa e kishin kryer dënimin e tyre, në fakt, disa prej tyre kishin vdekur dhe dënimi iu hoq pas vdekjes.
Pasojat shkatërruese të gabimeve
Derrick Hamilton, është një ish i dënuar i shpallur i pafajshëm. Në një intervistë ekskluzive me Zërin e Amerikës ai tregon se gjatë kohës kur kryente dënimin ka paraqitur 10 kërkesa për heqjen e dënimit dhe çdo herë gjyqtari ka pranuar se kishte prova të mjaftueshme për të hequr dënimin, por përsëri e ka lënë në burg. “Njëzet e një vjet të jetës sime, thotë ai, i kam kaluar në burg”.
Hamilton ishte akuzuar për vrasjen e një personi në Bruklin në vitin 1991. Ai mbeti në burg edhe pasi dëshmitarja e vetme, e dashura e burrit të vrarë, e tërhoqi dëshminë e saj.
Derrick Hamilton falënderon prokurorin Thompson dhe zv/prokurorin Hale për përpjekjet e tyre. Hamilton pohon ai u ngarkua me akuza të rreme nga detektivi që e arrestoi, të cilin ai e quan kriminel, sepse “nuk më bëri keq vetëm mua por edhe njerëzve të tjerë. Ai është një njeri që vuri interesat e tij mbi ato të shoqërisë. Ai nuk kishte respekt për rregullat. Ai kishte partnerë, të cilët e shikonin atë duke bërë pohime të rreme a fabrikim provash dhe nuk bënë asgjë për ta ndaluar”, thotë ai.
Detektivi i policisë së Nju Jorkut, përgjegjës për këtë rast, tani është në pension.
Profesori i ligjit në universitetin e Harvardit, Ronald Sullivan , thotë se prokurori Ken Thompson me të vërtetë ka filluar një lëvizje kombëtare. Ai shton se nisur nga të dhënat e prokurorisë së Bruklinit mbi pafajshmërinë e të dënuarve dhe mbi numrin e grupeve që rishqyrtojnë dënimet në të gjithë vendin, Thomson me të vërtetë ka zgjuar kombin, thotë ai. Përgatiti VOA.