Bashkëshortet e pilotëve të Bazës Ajrore të Farkës organizuan një ceremoni për të nderuar kujtimin e dy dëshmorëve më të fundit të atdheut, kapiten Floran Delia dhe toger Donald Hoxha.
Në aktivitetin i cili gjeti mbështetjen e menjëhershme nga Komanda e Bazës Ajrore të Farkës ishin të pranishme edhe familjaret e dy pilotëve të rënë në krye të detyrës.
Për të nderuar kujtimin e tyre, bashkëshortet e pilotëve zgjodhën të mbjellin dy rrënjë ullinj, si simbol i paqes dhe jetës, të cilët i pagëzuan me emrat e dy dëshmorëve, si dhe panë nga afër helikopterin tjetër të Forcës Ajrore, EC-145.
Në emër të gjithë efektivëve të Bazës Ajrore të Farkës, komandanti i kësaj baze, kolonel Kuto Hasani u shpreh i surprizuar nga nisma e bashkëshorteve të pilotëve dhe i falënderoi ato për solidaritetin e treguar dhe mbështetjen që japin përditë për bashkëshortët e tyre.
Më pas të pranishmit vizituan sallën ku pilotët bëjnë përgatitjet e fundit para fluturimit, në të cilën vendet e kapiten Floran Delia dhe toger Donald Hoxha ishin të zëna nga dy tufa lulesh.
Pilotët e Bazës Ajrore të Farkës pritet të rinisin të mërkurën fluturimet stërvitore të planifikuara, të cilat ishin pezulluar që prej rrëzimit të helikopterit EC-145 më datë 6 prill të këtij viti. Gjatë kësaj periudhe pilotët e kësaj baze kanë zhvilluar vetëm fluturime operacionesh.