Një muaj pasi doli nga burgu, Nazime Visha është kërcënuar me jetë. Mësohet se djali dhe gruaja e viktimës Fiqiri Muça, i cili u vra nga Visha pas pretendimit se e përdhunonte, kanë lëshuar kërcënime në adresë të saj.
Më herët, familjarët e Muçës ishin kundër amnistisë për Nazime Vishën ndërsa kjo e fundit ka kërkuar urdhër mbrojtje.
“U plotësua kërkesëpadia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme për Nazime Visha, 22 vjeçe, banuese në Zallbastar, sepse është kërcënuar nëpërmjet telefonit dhe dhunuar psikologjikisht nga Mënyre Muça dhe Ervis Muça, 44 vjeçe dhe 20 vjeç, banues në fshatin Manzë, Durrës”, – thuhet në njoftimin e policisë ndërsa dosja hetimore i ka kaluar Gjykatës së Tiranës.
Kërcënimet vijnë një muaj pasi e reja la qelinë e burgut për t’iu bashkuar familjes së saj.