Can Dundar, kryeredaktor i së përditshmes opozitare në Turqi “Cumhuriyet”, është gjobitur me 10,000 dollarë për “fyerje” të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.
Avokati i Dundarit, Blent Utku, ka thënë se rasti kundër gazetarit lidhet me artikujt për një skandal korrupsioni që ka tronditur Qeverinë turke në vitin 2013.
Arsyeja e saktë e vendimit që ka marrë gjykata në Stamboll nuk është bërë ende publike. Avokati ka thënë se do ta apelojë vendimin, transmeton REL.
Dundar ka shkruar në llogarinë e tij në Twitter se “nëse zbulimi i së vërtetës është krim, ne do të vazhdojmë ta kryejmë atë”.
Dundar po ashtu është në gjyq për gjoja përpjekje për të përmbysur qeverinë.
Akuza buron nga raportimi i tij për dërgesat e armëve nga Turqia për grupet rebele në Siri.
Dundar dhe i pandehuri tjetër, Erdem Gul, shef i byrosë së gazetës në Ankara, përballen me burgim të përjetshëm nëse shpallen fajtorë.
Afro 2,000 njerëz janë duke u ndjekur penalisht në Turqi për fyerje të Erdoganit.
Kritikët thonë se Erdogani përdor gjykatat për të heshtur zërat kundërshtarë.