Sekretarja për punë të Brendshme e Britanisë së Madhe, Theresa May, zyrtare e lartë e partisë qeverisëse Konservatore, ka folur në lidhje me iniciativën e ashtuquajtur Brexit, që nënkupton daljen e Britanisë nga BE-ja.
Sipas May-t, “është koha që të diskutohen disa nga supozimet tradicionale britanike në lidhje me angazhimin tonë me BE-në”, përfshirë edhe interesin britanik në zgjerimin e mëtejmë të BE-së. Në këtë kontekst, ministrja britanike ka thënë se disa shtete që janë duke negociuar anëtarësimin në BE, si Shqipëria, Serbia e Turqia, janë shtete të varfra e me korrupsion.
“Shtetet që tani janë duke negociuar anëtarësimin në BE përfshijnë Shqipërinë, Serbinë dhe Turqinë – shtete me popullsi të varfër dhe probleme serioze me krimin e organizuar, korrupsionin e ndonjëherë edhe me terrorizmin. Duhet të pyesim veten, a është me të vërtetë e drejtë që BE vetëm të vazhdojë të zgjerohet, duke u akorduar të gjitha shteteve të reja të gjitha të drejtat e anëtarësisë?”, ka pyetur May, raporton Koha.net.
Në fjalën e saj, Theresa May ka folur edhe për referendumin e radhës në Britani, duke thënë se Britania duhet të vendosë se si të merr pjesë në procesin e vendimmarrjes në Bruksel.
“A ta ndalojmë BE-në të shkojë në drejtimin e gabuar duke e ngritur zërin nga anash, apo duke udhëhequr dhe duke e çuar Evropën në një drejtim më të mirë? Dhe a mendojmë vërtetë se është në interesat tona që të mbështesim automatikisht dhe pa kushte zgjerimin e mëtejmë të BE-së?”
Ndërkaq, analisti dhe eksperti britanik i çështjeve të Ballkanit, James Ker-Lindsay, shkroi në Tëitter për fjalimin e saj duke thënë se ishte “lajm i mirë” dhe një lajmërim se Britania mund të bllokojë Turqinë dhe Ballkanin në rrugën e tyre drejt BE-së.