Tirana ka një tjetër destinacion të përhershëm turistik. Bëhet fjalë Bunk’Art, vendstrehimin antibërthamor që shërbente si vendkomandë e Shtabit të Përgjithshëm, e ndërtuar nga qeveria komuniste, në fillim të viteve 70, dhe që tashmë është shndërruar në një ekspozitë muzeale të përhershme. Pas eksperimentimit të bërë me rastin e 70 vjetorit të çlirimit të vendit, Bunk’Art vjen më i plotë me informacione, materiale dhe dëshmi të disa periudhave historike, nëpër të cilat ka kaluar vendi ynë duke synuar të kthehet në një pikë turistike unikale në rajon.
Çelja e këtij muzeu u bë gjatë një takimi me operatorët turistik në vend, ku i pranishëm ishte edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, si dhe ministrja e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, Milva Ekonomi. Në fjalën e tij, kryebashkiaku Veliaj tha se hapja e këtij muzeu shkon për shtat me politikat dhe filozofinë e Bashkisë së Tiranës për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të kryeqytetit si dhe nxitjen e turizmit, si pjesë e zhvillimit ekonomik vendor të Tiranës.
“Bunk’Art-i është një mikro-kozmos i asaj që ndodhi gjatë luftës së ftohtë në Shqipëri. Më vjen mirë që ky atraksion turistik, i cili besoj se duhet vizituar dhe duhet promovuar pa asnjë kompleks, është një aset shumë i rëndësishëm për turizmin në Tiranë, e sidomos për Bashkinë e Tiranës, që gjithashtu gjeneron të ardhura nga vaktet që konsumohen nga taksa e hotelit që paguhet nga çdo turist i huaj që vjen në Tiranë”, tha Veliaj. Ai shtoi se Tirana duhet t’i kushtojë vëmendje atyre potencialeve që ka për të thithur turistët dhe nuk duhet të konkurrojë me vendet fqinje me gjëra që nuk i ka apo nuk i ofron dot.
“Duke krijuar këto pole, duke ringjallur dhe rikthyer jetën dhe turizmin te Kalaja e Tiranës, te Pazari i Ri, te Bunk’Art, te Shpella e Pëllumbasit, te Kulla e Sahatit, Galeria e Arteve, në kujtesën time Tirana nuk ka pasur kurrë një paketë me kaq shumë stacione turistike, njëri më i ndryshëm dhe më tërheqës se tjetri”, u shpreh Veliaj. Ai theksoi se Bashkia e Tiranës është e vendosur që të bëjë maksimumin që të gjithë turistët vendas dhe të huaj ta konsiderojnë Tiranën jo thjesht si pikë tranziti në turet turistike, por në një vend ku mund të kalohet më shumë kohë për të eksploruar vlerat historike, kulturore dhe natyrore të saj. Ai ka folur për një sërë projektesh të afërta të Bashkisë së Tiranës që do t’i ofrojnë turistëve më shumë vende për t’u vizituar.
“Do flasim edhe me Ministrinë e Mbrojtjes për pjesën e muzeut të armëve, për të cilin mund të gjendet një mënyrë se si të deklasifikohet hyrja aty, të kthehet në një territor vetëm për turistët, pa prekur pjesët sensitive për çështje të ushtrisë. Të njëjtën gjë do të bëjmë edhe me Ministrinë e Kulturës, për pjesën e aksesueshme të Kinostudios, arkivat dhe disa kapanone të tjera që janë realisht interesante”, tha Veliaj. Kryebashkiaku shtoi se pjesë e projekteve të Bashkisë së Tiranës është edhe hapja për vizitorët edhe e vilës së ish diktatorit, Enver Hoxha. “Për sa i përket vilës së ish dikatorit në Bllok duam që të hapet pjesa e jashtme, që ta kemi të aksesuar gjatë gjithë verës. Këtë verë do të bëjmë një kalendar aktivitetesh me Ministrinë e Kulturës dhe Bashkinë e Tiranës për t’u siguruar që gjithë ai territor të ketë jetë”, shtoi Veliaj.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka dhënë një lajm të mirë për banorët e Tiranës, i cili ka të bëjë me hapjen e tre pjesëve të Unazës së Vogël. “Nesër do ta hapim Unazën e Vogël, tre segmentet ku kanë përfunduar”, tha Veliaj, ndërsa foli edhe për një sërë nismash të tjera infrastrukturore që natyrisht do t’i vijnë në ndihmë lëvizshmërisë dhe zhvillimit të turizmit, siç është edhe krijimi përgjatë Unazës së Vogël i stacioneve në shërbim të autobusëve me turistë.
Veliaj bëri të ditur se në funksion të bërjes së qytetit atraktiv për turistët ka nisur edhe projekti i rikthimit të fasadave. “Nga Zogu i Zi deri në mesin e Rrugës së Durrësit ka përfunduar rifreskimi i fasadave. Po i bëjmë me një bojë më cilësore që të durojnë më gjatë. Do të vazhdojmë shpejt me pallatet “Agimi” dhe “Shallvaret” dhe pasi të kemi rifreskuar brenda kësaj vere të gjitha fasadat ekzistuese, po përgatisim një konkurs ku artistët shqiptarë mund të propozojnë ndërhyrje me fasadat për të shtuar gamën duke qenë se fasadat janë bërë tashmë një brend i Tiranës”, tha Veliaj.