Nga 20 mijë nëpunës të administratës publike që e kanë detyrim plotësimin e formularit të vetëdeklarimit në zbatim të ligjit të dekriminalizimit, deri më sot këtë dokument e kanë plotësuar vetëm 6 mijë prej tyre.
Burime nga Departamenti i Administratës Publik bënë të ditur për ATSH-në, se afati fundor për plotësimin e këtij detyrimi ligjor është data 4 maj, ndërsa më pas punonjësit e administratës do të përballen me masa të rënda, që shkojnë deri në largim nga puna.
Pak ditë më parë, ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito i bëri apel punonjësve të administratës që brenda datës 5 maj të kenë dorëzuar formularët e vetëdeklarimit, në të kundërt do të penalizohen me largim nga puna.
Plotësimi i formularit të vetëdeklarimit është detyrim për nëpunësit e administratës publike, në zbatim të ligjit të dekriminalizimit dhe akteve nënligjore, që i hapin rrugën zbatimit të ligjit.