Catherine Malatesta shkëlqeu në mbrëmjen e paramaturës vitin e kaluar, me një fustan blu të gjatë. 16-vjeçarja u kënaq së tepërmi në mbrëmjen e 29 majit, por pak ditë më pas u shtrua në spital, ku vdiq më 2 gusht 2015.
Vajza bukuroshe, nga Arlington, Massachussets, deshi ta gëzonte deri në fund jetën, ndonëse ishte diagonistikuar me kancer në fazën e katërt që nga nëntori 2014.
Sivjet, shoqet e saj kanë vendosur ta nderojnë kujtimin e Catherines duke veshur të njëjtin model fustani si ajo në mbrëmjen e maturës.
Nëna e saj, Jennifer Goodwin, tha se mbrëmja e maturës ishte një natë shumë e madhe jo vetëm për vajzën por për të gjithë familjarët. Ajo tregoi se vajza para se të shkonte në mbrëmje kishte thënë “për herë të parë, pas një kohe shumë të gjatë, po ndjehem e bukur”.
Tani Jennifer është e prekur nga gjesti i shoqeve.
“Më lumturon fakti që këto vajza duan ta kujtojnë me një gjest kaq të thjeshtë e njëherazi kaq të fuqishëm”, thotë Jennifer.
“Ato mbajnë shpirtin e Catherines me vete. Ajo do të jetë përherë në zemrën e tyre, por veshja e këtij fustani është një shenjë e dukshme fizike e dashurisë së tyre për Catherine”.