Gjykata Kushtetuese ka vendosur të rikthejë për shqyrtim në Gjykatën Administrative çështjen e zhdoganimit të dy helikopterëve tip “AS 532 AL COUGAR ALB 3 MEDAVEC, të blerë sipas kontratës së qeverisë nënshkruar në vitin 2010 me kompaninë “Eurocopter” s.a.s.
Megjithëse 2 helikopterët u blenë për më shumë se 30 milionë euro të dy bashkë, Ministria e Mbrojtjes si institucioni përgjegjës për zbatimin e kësaj kontrate nuk gjeti dot paratë për të paguar zhdoganimin e dy mjeteve.
Çështja përfundoi në gjykatë, pasi Komanda e Forcave Ajrore kërkoi të paguante Tvsh për dy mjetet ajrore gati një vit pasi ato kishin ardhur në Rinas, por Dogana e Rinasit e gjobiti atë për vonesën me afro 11 milionë lekë të rinj për të dy helikopterët.