Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në prokurori 159 zyrtarë, të cilët i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm ekonomik prej 85.8 miliardë lekësh, raporton Gazeta Shqiptare. Shkeljet janë konstatuar e më pas kallëzuar në prokurori vetëm gjatë vitit 2015. Ndërkohë KLSH-ja ka propozuar marrjen e masave administrative, nga vërejtje deri në largim nga puna, për 1.590 punonjës administrate.
Sipas KLSH-së, në auditimet e realizuara përgjatë vitit 2015 janë konstatuar një sërë shkeljesh të qëllimshme të dispozitave ligjore e nënligjore në fuqi nga ana e një numri të konsiderueshëm nëpunësish dhe ish-nëpunësish të administratës shtetërore të të gjitha niveleve, me pasojë jo vetëm shkaktimin e dëmeve ekonomiko-financiare ndaj buxhetit të shtetit, por edhe dëmtimin e interesave të tjera të ligjshme të shtetit shqiptar, për të cilat KLSH-ja ka depozituar pranë organit të prokurorisë kallëzimet përkatëse penale.
Kallëzimet
Për periudhën janar–dhjetor 2015, KLSH-ja ka depozituar pranë organit të prokurorisë 51 kallëzime penale për 159 persona, nëpunës dhe ish-nëpunës të administratës shtetërore të të gjitha niveleve. “Referuar akuzave penale të ngritura nga KLSH-ja në këto kallëzime, shumica e tyre u përkasin veprave penale të ‘Shpërdorimit të detyrës’, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal (57% të kallëzimeve penale) dhe ‘Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike’, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal (43% të kallëzimeve penale).
Në shkeljet e konstatuara nga KLSH-ja gjatë auditimeve, të cilat i përcillen më pas organit të prokurorisë, në formën e kallëzimeve penale, KLSH-ja evidenton dhe argumenton kryesisht ekzistencën e elementëve të veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Falsifikimit” etj.”, thuhet në raportin e KLSH-së të dorëzuar në Kuvend. “KLSH-ja, si institucion suprem auditimi, në luftën kundër korrupsionit, dy janë problemet kryesore të cilat shqetësojnë dhe në një farë mënyre frenojnë arritjen e rezultateve konkrete në luftën kundër korrupsionit:
1) Moszbatimi i paargumentuar i rekomandimeve të KLSH-së nga ana e institucioneve shtetërore, sidomos për sa u përket masave disiplinore të largimit nga detyra të funksionarëve dhe drejtuesve të lartë shtetërorë, për të cilët KLSH-ja ka konstatuar një sërë shkeljesh të rënda në ushtrimin e detyrës së tyre funksionale, duke depozituar pranë organit të prokurorisë kallëzime penale konkrete;
2) Përpjekja aktuale dhe tendenca e qëllimshme e forcave të ndryshme politike për të etiketuar disa prej auditimeve të KLSH-së si auditime politike”, thuhet në raportin e vitit 2015.
Raporti saktëson se në lidhje me çështjen e parë, atë të moszbatimit të paargumentuar të rekomandimeve të KLSH-së nga ana e institucioneve shtetërore, sidomos për sa u përket masave disiplinore të largimit nga detyra të funksionarëve dhe drejtuesve të lartë shtetërorë të konstatuar me shkelje të rënda nga auditimet e KLSH-së, vlen të theksohet fakti që KLSH-ja i ka kërkuar Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë marrjen nga ana e tij të të gjitha masave të nevojshme institucionale, për mbajtjen e një qëndrimi të qartë dhe të argumentuar ligjor karshi rekomandimeve të KLSH-së që nuk zbatohen nga ana e institucioneve në varësi të Këshillit të Ministrave, duke i përcjellë njëkohësisht edhe një listë të përmbledhur prej 18 drejtuesish të lartë të administratës shtetërore, të cilët vazhdojnë të qëndrojnë ende në postet e tyre zyrtare, pavarësisht shkeljeve të konstatuara dhe raportuara nga KLSH-ja në raportet e auditimit (të përcjella këto edhe Kuvendit, edhe Komisioneve të tij përkatëse), pavarësisht kallëzimeve penale që KLSH-ja ka dërguar në organin e prokurorisë në lidhje me këta zyrtarë dhe pavarësisht rekomandimeve të qarta që KLSH-ja u ka drejtuar institucioneve përkatëse për largimin e menjëhershëm të tyre nga postet që ata mbajnë.
Dëmi
Nga auditimet e realizuara gjatë vitit 2015 janë konstatuar shkelje financiare që përgjithësisht i përkasin veprimtarisë ekonomiko-financiare për periudhën kohore 2013-2015. Janë gjetur parregullsi dhe shkelje financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm ekonomik në shumën totale prej 125,763,051 mijë lekësh (ose 919.9 milionë euro). Auditimi i KLSH-së ka gjetur edhe shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e subjekteve të audituara, në shumën totale prej 35,312,076 mijë lekësh (ose 257.7 milionë euro).
Rekomandimet
Rekomandimet për ndryshime organizative marrin rëndësi të veçantë për vetë karakterin parandalues që ato kanë. Masat e propozuara për ndryshime organizative në subjektet e audituara synojnë jo vetëm korrigjimin e rasteve të mosfunksionimit efecient të rregullave e kontrolleve, por, për më tepër, kanë si qëllim zhvillimin dhe përmirësimin në të ardhmen. “Përgjatë vitit 2015, KLSH-ja rezulton të ketë propozuar 2.510 rekomandime, të cilat synojnë përmirësimin e sistemeve organizative të enteve të audituara. Nga 2.510 masa të rekomanduara gjithsej, janë zbatuar plotësisht 817 prej tyre, pjesërisht 335, dhe janë në proces zbatimi 529 masa. Për sa u përket masave të rekomanduara për periudhën 2012-2015, KLSH-ja ka rekomanduar rreth 40% masa më shumë se periudha katërvjeçare 2008-2011”, thuhet në raportin e KLSH-së.
BW