Dy kilometra larg vendkalimit kufitar Shën Naumi, në kufirin mes Maqedonisë dhe Shqipërisë, në tri vende, tabela treguese, Shqipëria është shënuar si Republika Popullore e Shqipërisë, edhe pse ka kaluar kohë e gjatë prej kur Shqipëria ishte Republikë Popullore, raporton Alsat-M.
Ndonëse fqinji perëndimor tashmë disa vite është anëtar i NATO-s, ndërsa koha e sistemit të kaluar dhe Enver Hoxhës është e shkuar e largët, për Maqedoninë sikur ka ndaluar koha, sepse nuk ka kush i ndërron tabelat rrugore.
Në pjesën shqiptare të kufirit, Maqedonia në tabela është shënuar me emrin e saj kushtetues.
Nga ndërmarrja publike e rrugëve shtetërore, arsyetohen se tabelat në të cilat qëndron Republika Popullore e Shqipërisë ende nuk janë ndërruar sepse janë në fazën e përpunimit të dokumentacionit teknik për ndërtimin e rrugës së re nga fshati Kosel në Ohër deri në vendkalimin kufitar Shën Naumi.
“Me këtë projekt, përveç punëve ndërtimore, planifikohet edhe rinovimi i plotë i sinjalizimit rrugor, që përfshin edhe vendosjen e tabelave të komunikacionit në rrugën që çon drejtë Shqipërisë.
Nga ana e Ndërmarrjes Publike Rrugët Shtetërore do të bëhen përpjekje menjëherë të intervenohet, të përgatisë dhe të vendosë tabelë të re treguese ne vend të tabelës së tanishme”, njoftojnë nga Autoriteti i Rrugëve Shtetërore.