Me banorë të Mirditës, kreu i opozitës ndau shqetësimin e rritjes së papunësisë dhe të varfërisë. Në zonat e Fanit, Kthellës dhe Rubikut, banorët u ankuan se po jetojnë në errësirë, për shkak të mbifaturimeve dhe pamundësisë për të paguar energjinë. Ndërsa sipas Lulzim Bashës, Operatori i Shpërndarjes ka abuzuar në një vit me të paktën 21 milionë euro.
“Këta që bërtasin shtet-shtet-shtet, shtetin e paskan për Emilianon, për Koço Kokëdhimën dhe për bijtë e tyre, që të mbajnë syze 60 mijë euroshe, aq sa ç’është ndihma ekonomike në muaj për Mirditën. Ku qenka shteti? Shteti, ku vitin e kaluar, vetëm për karburant dhe për makinat e shtetit janë abuzuar 34 milionë dollarë, sa për të ngritur pensionet e të gjithë Shqipërisë”, tha Basha.
Kreu i opozitës u shprehu banorëve bindjen se, gjendja në vend do të përkeqësohet, përsa kohë qeveria do të bashkëpunojë me krimin dhe jo me qytetarët.
“Si mund të hapen vende pune kur biznesi, që kërkon kushte të favorshme për të investuar, i rritet me 50 për qind taksa, apo kërcënohet nga banditë e nga Shullazët me gjoba dhe me tritol?! Si mund të hapen vende pune, kur krimi dhe njeriu që është ngarkuar me Kushtetutë të luftojë krimin janë bërë një, e nuk dallohet ku mbaron krimi e ku fillon ministri i Brendshëm?”, vijoi më tej Basha.
Zgjidhje, sipas Lulzim Bashës janë zgjedhjet e paprekura nga krimi dhe korrupsioni.
“Zgjedhjet e ardhshme do të jenë nën mbikëqyrjen më të rreptë ndërkombëtare që prej vitit 1991, sepse bota e ka kuptuar se çfarë oligarkësh janë këta dhe se, shpresën e fundit e kanë për të vjedhur zgjedhjet”, deklaroi Basha.
Kreu i opozitës siguroi qytetarët se, bashkë me partnerët, opozita do të marrë të gjitha masat që zgjedhjet të jenë të lira e të ndershme.