Milionat që Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) mbledh nga kursimet pensionale të kosovarëve, vazhdojnë të investohen nëpër kompani dhe vende të ndryshme të botës. FKPK menaxhon me mbi 1 miliard euro, të cilat kryesisht janë të investuara në 1 mijë e 900 kompani në mbarë globin.
Kompanitë në të cilat ky fond i ka të investuara mjetet, ka gjasa që mund të kenë qenë pjesë e parajsës së fshehjes së tatimeve, e njohur tashmë në botë si zbulimet e “PanamaPapers”. Por këto dyshime hedhen poshtë nga zëdhënësi i këtij fondi, Jeton Demi.
Ai për KosovaPress tha se nuk e përjashtojnë mundësinë që kompanitë në të cilat janë të investuara mjetet të kenë fshehur tatimet, por jo mjetet e Fondit.
Ndryshe, paralajmërimet se edhe vendet e Evropës Juglindore ka gjasa të dalin në dokumentet e PanamaPapers, e cila ka mbi 11 milionë dokumente nga firma e Mossack Fonseca, një nga kompanitë më të fshehta të botës, lë dyshime se aty mund të përfshihen edhe kompani e individë nga Kosova.
Mossack Fonseca është një firmë ligjore me bazë në Panama, e cila ka ndihmuar klientët e saj që të pastrojnë paratë dhe t’i shmangen tatimit nga vendet e tyre, duke ofruar shërbime në menaxhimin e pasurisë, kundrejt një tarife vjetore.