Kryesuesi i Departamentit për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural në AAK, Imer Rusinovci, në Ditën Botërore të Tokës, i ka bërë apel Qeverisë së Kosovës që ta trajtojë me kujdes tokën bujqësore.
Ai thotë se institucionet e Kosovës nuk po e ruajnë dhe nuk po e menaxhojnë tokën bujqësore. Në një konferencë për media ai ka thënë se 1/3 e tokës bujqësore nuk punohet dhe se çdo vit Kosova humb 1000 hektarë tokë bujqësore, si pasojë e degradimit, shkruan gazeta ‘Zeri’.
“Vëzhgimet dhe observimet tona të cilat i kemi bërë si departament në kuadër të këtij subjekti politik, na kanë dhënë vërtet shifra alarmante dhe shumë tronditëse. 1/3 e tokës bujqësore në Kosovë nuk punohet, është djerrinë edhe aty ku punohet koincidon me një kultivim inteziv që nuk përkon me traditën dhe me kulturën e fermerëve tanë, për faktin se fermerët nga Kosova gjatë viteve të 80-ta kanë pajisur tregje të mëdha të nivelit rajonal duke filluar nga Lubjana, Zagrebi deri te Shkupi, ndërsa sot karakterizohemi me shifra marramendëse të importit për produktet bazë që mund të bëhen”, ka thënë ai.