Kuvendi i Shqipërisë ka dënuar dje me dhjetë ditë perjashtim ish-kryeministrin dhe liderin historik të së djathtës, Sali Berisha. Me kërkesë të disa deputetëve socialistë vendosi të përjashtojë nga punimet e parlamentit për 10 ditë ish-kryeministrin Berisha, për deklaratën që ky i fundit bëri në seancën e fundit plenare, duke u bërë thirrje shqiptarëve që të armatosen.
Por ajo që ka rënë në sy të mediave ka qenë vota e munguar në mbledhjen e Byrosë, e kreut të Kuvendit Ilir Meta, i cili sic thanë burimet nga Parlamenti, nuk ka marrë pjesë në votimin e dalë 6 me 1 në favor të dënimit.
Ky gjest simbolik i Metës inkuadrohet në heshtjen totale që LSI ka mbajtur për deklaratat e fundit ë Berishës në Kuvend, në lidhje me armatosjen e qytetarëve. Megjithëse këto deklarata shkaktuan një furtunë të vërtetë politike e mediatike, Lëvizja Socialiste për Integrim nuk mbajti asnjë qëndrim politik në lidhje me çeshtjen në fjalë, duke shtuar dyshimet për një sjellje taktike në raport me ish-aleatët.
Ky qëndrim i tërhequr i Metës shton zërat për një pozicionim të kujdesshëm dhe që mund të interpretohet edhe në një optikë afatgjatë, duke parë afrimin gradual të vitit elektoral.