Interesat e ulëta të depozitave bankare i kanë nxitur indivdët të zgjerojnë investimet në tituj afatgjate të borxhit të qeverisë pëgjatë vitit 2015. Madje janë braktisur edhe bonot e thesarit duke tentuar obilacionet më afatgjatë 2-5 vjecare në kërkim të një normë të lartë interesi.
Sipas Bankës së Shqipërisë rritja vjetore e investimeve në tituj të borxhit të qeverisë ishte rreth 18.3 miliardë lekë ose 15% gjatë vitit të kaluar.
Sipas instrumentit, rritja e investimeve në obligacione dhe bono thesari, ka qenë përkatësisht 27% dhe 6%, ose 14.1 miliardë lekë (rreth 100 milionë euro) dhe 4.2 miliardë lekë.
Preferenca e publikut ka qenë dukshëm për obligacionet qeveritare, të cilat ofrojnë edhe normën më të lartë të kthimit. Në fund të vitit 2015, investimet e individëve në depozita dhe tituj të borxhit të qeverisë në total janë zgjeruar me pothuajse 3.5% në terma vjetore, ku rreth 1.8% vjen nga zgjerimi i investimeve në tituj të borxhit qeveritar dhe rreth 1.7% nga depozitat në sistemin bankar.
Zhvendosja e individëve nga depozitat në investime në letra me vlerë në kërkim të normave më të larta të kthimit, është më e dukshme në monedhën vendase. Gjatë pjesës së dytë të vitit, depozitat e individëve në lekë kanë rënë me mbi 7 miliardë lekë, kurse investimet e tyre në letra me vlerë në lekë janë rritur rreth 7.7 miliardë lekë, njoftoi Banka e Shqipërisë.
Në lidhje me depozitat në valutë, prirja nuk është e njëjtë. Gjatë periudhës, depozitat e individëve në valutë janë rritur me rreth 18 miliardë lekë, ndërkohë investimet e tyre në letra me vlerë në valutë kanë rënë në masë të papërfillshme, rreth 0.6 miliardë lekë. Përgjithësisht vërehet se vijon prirja që individët t’i investojnë fondet e tyre më parë në depozita në valutë, sesa në letra me vlerë në valutë./Monitor