Nga Ben Andoni
Në morinë e sherreve ditore të politikës, historisë lëbyrëse të kriminelëve të ndryshëm, pasigurisë së përditshme, jeta e qytetarit të thjeshtë shqiptar duket se ka humbur disa nga pikat normale të orientimit. Mes tyre, ishin ato këqyrjet kah konfiguracioneve të habitshme të grupeve të dallëndysheve, që mësynin dikur Tiranën tonë. Lajmëtarja e pranverës vinte pa bujë, e hasje një mëngjes, ose e shumta ndonjë pasdite të vonët, teksa ajo bënte rikonjicionin e parë dhe fillonte të merrej e patrazuar me folenë, që e kishte lënë një vit më parë. Askush nuk ia prishte folenë, pasi në bestytninë popullore do të kthehej me patjetër në një të keqe. Dhe, realisht askush nuk ua prishte foletë në qytetin tonë. Me ardhjen e tyre lindte shpresa, riniste jeta, që shikohej në një mënyrë gati metafizike në Shqipërinë materialiste.
Dallëndyshet erdhën dhe pak kohë pas viteve ’90, po kur krismat u kthyen në një gjë normale ndër qytetet tona, kur betoni filloj të mësyjë gjithçka dhe zakonet tona ndryshuan, ato vendosën ta braktisin të parat vendin. Ndërsa në tokë shpresa e njerëzve u bjerr prej një sistemi makut, veshur me rrobat e shndritshme të demokracisë, në ajër ato e braktisën Tiranën pa bujë. Për vite rralloheshin e pakësoheshin derisa një ditë nuk u panë më.
Ndonjë guximtare që vinte sërish nuk mund të ulej më në vendin e vet. Foletë ua kishin prishur, ndërsa në tokë prisnin gjuetarët e pashpirt. Ato nuk mund të falnin zakonet tona të reja, i përçmonin, dhe kështu shpendi i shpresës iku për të mos u kthyer më pas.
Është e trishtueshme se njësoj si shpresa që mungon krejtësisht në vendin tonë dhe simboli i tij, ky shpend i mrekullueshëm, e ka braktisur në mënyrë të çuditshme ajrin e Tiranës sonë.
Arsyet dihen dhe specialistët dinë t’i rreshtojnë bukur mirë, por konstatimi nuk i kthen më zogjtë fatndjellës në shtëpi shqiptarësh.
Më e keqja është se shqiptarët kanë humbur edhe traditat burimore të respektit ndaj tyre me dëshirën e ethshme për urbanizimin pa kriter, për pushtim mjedisesh, për të ndotur, ndaj edhe zogu krenar na ka braktisur me vetëdije duke kërkuar vende mikpritëse larg shqiptarëve të sotëm, që veç shpresës po vrasin dhe fatin e tyre, që e lajmëronin çdo pranverë këto krijesa gati hyjnore.
Dhe, Tirana mund të bëhet moderne, mund të shtohen kullat, lakmia, por asgjë nuk do ta zëvendësojë më ardhjen e dallëndysheve në qytetin tonë. Kemi vrarë një udhë të shpresës metafizike në shekullin e ri materialist.