Janë në vijim konsultimet me ekspertët juridikë për gjetjen e zgjidhjes së mundshme juridike lidhur me vendimin për falje-lirimet nga ndjekja pa procedurë të zbatuar, deklaroi presidenti maqedonas, Gjorge Ivanov.
“Siç paralajmërova në fjalimin tim të fundit, lidhur me kërkesat personale për tërheqje të vendimit për falje-lirim nga ndjekja pa zbatim të procedurës, në rrjedhë janë konsultimet me ekspertë juridikë me qëllimin e gjetjes së zgjidhjes së mundshme juridike”, thekson Ivanov në deklaratën me shkrim, cituar nga INA.
Ndërkohë vendin e kanë përfshirë trazira të mëdha dhe të paparashikueshme për të ardhmen. “Lidhur me protestat deklaroj se askujt nuk i është shkurtuar e drejta për të shprehur pakënaqësi apo protestë për cilindo veprim të cilitdo institucion shtetëror. Por, në realizimin e asaj të drejte bëj thirrje që të mos shkelet rendi dhe qetësia publike dhe të mos shkatërrohet prona shtetërore dhe private”, thekson Ivanov.