Zbardhen detaje të reja në lidhje me hetimet e gjata që çuan Emiljano Shullazin, Gilmando Danin dhe Blerim Shullazin nën pranga për disa akuza të rënda.
Gazeta Panorama shkruan se sot se këta persona kanë qenën nën përgjim të ligjshëm nga SHISH.
“Dosja penale ndaj Emiljano Shullazit, Gilmando Danit dhe Blerim Shullazit ka një numër provash të marra me metoda speciale të hetimit”. Kështu janë shprehur burimet e Prokurorisë, duke pohuar se pas kallëzimit të bërë në shkurt 2016 nga Ajet Zaka, Shullazi dhe personat e tjerë rreth tij janë mbajtur në vëzhgim.
Mbikëqyrja e aktivitetit të tyre është bërë nga Shërbimi Informativ me anë të procedurave që janë ligjëruar dhe kanë marrë efektin e provës nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme. “Pas nisjes së hetimeve në shkurt 2016, me kallëzim nga shtetasi Ajet Zaka për gjobëvënie në lidhje me parkingun 1200 m² te Policia Bashkiake, është regjistruar procedimi penal dhe kanë vazhduar veprimet hetimore”, thanë burimet e Prokurorisë, shkruan “Panorama”.
Sipas tyre, pjesë e këtyre veprimeve hetimore kanë qenë edhe metodat speciale të marrjes së provave, si përgjimet telefonike dhe ambientale. Ndërkohë, pas datës 13 mars 2016, kur një sasi tritoli shpërtheu në parkingun e Ajet Zakës, veprimet e Prokurorisë kanë vazhduar të avancohen edhe më tej.
Mësohet se kanë qenë oficerë të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë së Përgjithshme dhe Krimeve të Rënda që kanë kryer veprimet dhe kanë hartuar dokumentacionin e dosjes. “OPGJ të Prokurorisë, në zbatim të detyrës ligjore, kanë firmosur dhe hartuar raportet e vëzhgimit dhe provat e tjera që janë marrë në terren edhe nga strukturat e Shërbimit Informativ”, kanë pohuar burimet nga organi i akuzës. Emiljano Shullazi, Gilmando Dani dhe Blerim Shullazi u arrestuan javën e kaluar pas mesnatës së shtunë, më 16 prill 2016.