Durrësi nxjerr rektoren e parë në vend. Zgjedhjet e mbajtura ditën e djeshme për drejtues të universiteteve kanë nxjerrë fituese kandidaten femër vetëm në Durrës. Kseanela Sotirofski, ish-dekane e Fakultetit të Edukimit, ka fituar shumicën e votave përballë dy kandidatëve Elmaz Leci dhe Bardhyl Ceku.
Ajo mori 70% të votave kundrejt 30 % që kanë shkuar për dy kandidatët e tjerë. Mësohet se pjesëmarrja e pedagogëve në procesin e votimit ka qenë 99%, ndërsa studentët kanë qenë totalisht indiferentë dhe 80% e tyre e bojkotuan procesin zgjedhor. Njëri prej kandidatëve, Bardhyl Ceku, ka shprehur pakënaqësi për procesin zgjedhur, duke deklaruar se procesi në të gjitha fazat ka qenë i deformuar dhe i orientuar.
Rezultati i parë për rektor doli nga Universiteti “Fan Noli” në Korçë. Ali Jashari, ish-dekan i Fakultetit të Edukimit, është fituesi i garës përballë Lorenc Ekonomit. 78 akademikë kanë zgjedhur që Jashari të mbajë postin e rektorit të Universitetit, përkundrejt 68 votave që ka mundur të marrë kandidati tjetër.
Për Jasharin, kjo ka qenë gara e dytë për të marrë pozicionin e rektorit, pas përballjes me ish-rektorin Gjergji Mero. Sipas informacioneve, 99% e stafit akademik dhe 66% e studentëve kanë votuar përgjatë ditës pa regjistruar asnjë incident apo problematikë.
Pas mbylljes së procesit të votimit, ka nisur ai i numërimit të votave pranë çdo fakulteti, ku më pas komisioni institucional zgjedhor ka shpallur fituesin. Menjëherë numërimi ka nisur me votat e pedagogëve dhe më tej ato të studentëve, pavarësisht se fitorja e Jasharit është përcaktuar vetëm me votat e stafit akademik.
Në Shkodër– profesori i Shkencave të Natyrës, Adem Bekteshi, do të jetë rektori i ri i Universitetit të Shkodrës. Bekteshi fitoi garën përballë Arjeta Troshanit, e cila nuk arriti që të zgjidhej pas numërimit të votave të pedagogëve dhe studentëve në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.
Adem Bekteshi ka marrë 94 vota nga pedagogët, kundrejt 87 votave që mori Troshani. Po ashtu, Bekteshi ka marrë edhe besimin e studentëve, duke marrë 984 vota kundrejt 861 votave që mori Troshani.
Adem Bekteshi do të zëvendësojë në postin e rektorit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” profesor Artan Haxhin. Në Gjirokastër- zgjedhjet për rektor të Universitetit “Eqrem Çabej” i ka fituar Bektash Mema, me mbi 70 për qind të votave. Zgjedhjet u karakterizuan mesditën e djeshme nga një frymë konfliktuale mes kandidatëve pretendentë për postin e rektorit.
Kostaq Hila, njëri prej dy kandidatëve për rektor të Universitetit, ka akuzuar kandidatin kundërshtar Bektash Mema, për presion ndaj studentëve votues dhe stafit pedagogjik të Universitetit.
GARA PËR REKTOR
Universiteti “Aleksandër Moisiu”
Kandidatët
Kseanela Sotirofksi, fituese
Bardhyl Çeku
Elmaz Leci
Universiteti “Aleksandër Xhuvani”
Skënder Topi, fitues
Universiteti “Fan Noli”
Kandidatët
Ali Jashari, fitues
Lorenc Ekonomi
Universiteti “Luigj Gurakuqi”
Kandidatët
Adem Bekteshi, fitues
Arjeta Troshani
Universiteti “Eqrem Çabej”
Kandidatët
Bektash Mema, fitues
Kostaq Hila
Universiteti “Ismail Qemali”
Roland Zisi, fitues
Panorama