Lëvizja “Vetëvendosje” është në kërkim të partneritetit me përfaqësues të shoqërisë civile për ta realizuar “Alternativën”, e cila u refuzua nga AAK-ja dhe Nisma, shkruan Koha Ditore.
Megjithatë, zyrtarë të VV-së kanë thënë se ende nuk janë mbyllur të gjitha rrugët e bashkëpunimit me dy partitë e tjera opozitare.
Zëdhënësi i “Vetëvendosjes”, Frashër Krasniqi, i ka thënë gazetës se partneritetit mund t’i kthehen vetëm pasi AAK-ja dhe Nisma të sqarojnë pozicionet e tyre në raport me partitë në pushtet.
“Jemi duke bërë përpjekje maksimale për ta realizuar Alternativën tonë. Për momentin jemi duke pritur sqarimet e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe të Nismës së Kosovës, sa u përket takimeve të tyre të fshehta me partitë në pushtet”, ka thënë Krasniqi.
“Por nëse nuk ka gatishmëri dhe nuk distancohen nga flirti me partitë në pushtet, ne do të vazhdojmë të vetëm me alternativën”, ka shtuar Krasniqi.