Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto gjatë inaugurimit të sistemit të ndriçimit nga Sauku në dalje të Tiranës, pjesë e Unazës së Madhe të Tiranës, bëri një paralajmërim për të gjitha kompanitë që po ndërtojnë rrugët e Shqipërisë. Ai tha se asnjë rrugë nuk do të merret në dorëzim si e përfunduar nëse nuk do jetë e pajisur me sinjalistikë të rregullt ndriçimi dhe sigurie.
“Sot është momenti për të bërë gjithashtu një tërheqje vëmendje dhe thirrje publike dhe për kompanitë e tjera që janë në procesin e realizimit të projekteve rrugore.
Duhet t’i përfundojnë ato me cilësi dhe standardet e duhura, duke përfshirë të gjithë elementët dhe sigurisht Autoriteti Rrugor Shqiptar nuk do ta quajë të përfunduar veprën në qoftë se nuk është e pajisur me të gjithë këto elementë me standardin e duhur”, tha Haxhinasto
Ministri bëri një apel edhe ndaj qytetarëve
“Sot është momenti për të bërë dhe një thirrje publike për ata qytetarë të pandërgjegjshëm që ndërhyjnë, përvetësojnë pronën publike, marrin kabullin, marrin elementë të tjerë të ndriçimit apo sinjalistikës. Është koha që Shqipëria të ketë nivelin më të lartë të standardeve për rrugët, sinjalistikën, për ndriçimin e tyre”, tha ai.