Çështja “Shullazi” ka sjellë edhe reagimin e bashkëpronarëve të ish-hotel Vollgës në Durrës në të cilët deklarojnë se nuk janë informuar nga kompania “Saudi Brothers” për dhurimin e aksioneve të tyre shtetasit Emiliano Shullazi.
Bashkëpronari Fejzi Kodra deklaron nëpërmjet një deklarate se nuk e njeh dhe nuk e ka takuar kurrë personin e tretë (Shullazin), të cilit i është dhuruar prona nga “Saudi Brothers” .
Kodra thekson se në këtë proces bashkëpronarët konsiderohen palë e dëmtuar dhe po përgatisin procedurën gjyqësore ndaj kompanisë “Saudi Brothers” në lidhje me dëmin ekonomik që u ka shkaktuar.
“Unë Fejzi Kodra, me qëllim që të bëj qartësi të plotë mbi çështjen aq të përfolur të dhurimit të një pjese të hotel Vollgës, Durrës, e shoh me vend të jap sqarimet që vijojnë: Me dt 13/11/2014 kam firmosur kontratën e blerjes së një sipërfaqe trualli prej 1749 mq, (tek ish hotel Vollga Durrës), i cili ishte pronë e regjistruar e kompanisë “Saudi Brothers”. Duke qenë se i gjithë trualli i regjistruar në emër të tyre ishte 2498 mq, pjesa e mbetur prej 749 mq, e pandarë, mbetej në zotërim të tyre.
Pagesa u krye me transfertë të rregullt bankare në llogarinë e kompanisë “Saudi Brothers”. Për financimin tim kontribuoi një miku im i afërt, biznesmeni Luan Leka, me të cilin kishim një projekt investimi, mbi bazën e një kontrate legale noteriale.
Mbas këtij transaksioni, siç duket edhe nga dokumenti hipotekor i dt 17/11/2014 në pronësine time kaloi 70% e sipërfaqes dhe “Saudi Brothers” mbetej pronar i 30% të sipërfaqes në pjesë të pandara.
Për sqarim dua të theksoj që transaksioni i kryer nuk ka asnjë lidhje me kompaninë Eurocol ku unë punoj apo me ortakët e kësaj kompanie.
Ndërkohë nuk kemi pasur dijeni për veprimet e mëpasme të kompanisë “Saudi Brothers”, përfshirë aktin e dhurimit për të cilin mësuam vetëm në këto ditë nëpërmjet mediave. Siç duket në dokumentet hipotekore kjo kompani i ka dhuruar në një kohë më të vonë, pjesën e saj të pasurisë me sip 749 mq, një personi të tretë, të cilin as e njohim dhe as e kemi takuar ndonjëherë. Kjo duket qartë edhe në aktin e dhurimit që është firmosur vetëm nga administratori i kompanisë “Saudi Brothers”.
Në këtë proces ne konsiderohemi palë e dëmtuar dhe po përgatisim procedurën gjyqësore ndaj kompanisë “Saudi Brothers”, në lidhje me dëmin ekonomik që na ka shkaktuar.”- thuhet në deklaratën e bashkëpronarëve të Vollgës.