Kryeministri Edi Rama është ndalur pasditen e sotme në Shënkoll për t’u takuar me banorët e kësaj zonë para zgjedhjeve lokale të 21 qershorit.
Kreu i Ekzekutivit u ndal tek arritjet e qeverisë në këto 18 muaj qeverisje, ndërsa theksoi se tashmë për këtë zonë rreth 6200 hektarë janë nën ujë dhe kanë mundësi të vaditen. Teksa akuzoi qeverinë e kaluar se në Shënkoll rreth 93 për qind e tokave ishte lënë djerr, Rama premtoi para banorëve të bashkisë më të re se ata do kenë ujë për vaditje.
Me ndarjen e re administrative, bashkia e Lezhës ka nën administrim 18 mijë hektarë tokë të punueshme dhe pjellore, por që deri më sot vetëm një pjesë e vogël e saj vaditet.
Nga Shënkolli, kryeministri Edi Rama premtoi ngritjen e rrjetit të vaditjes për të gjitha tokat e punueshme në bashkinë e Lezhës në katër vitet e ardhshme.
Rama kërkoi votën për kandidatin e Aleancës për Shqipërinë Europiane, ndërsa nënvizoi edhe ndryshimin mes ofertës së mazhorancës dhe asaj të opozitës, sipas tij.
“Bashkia e re e Lezhës ka 18 mijë ha tokë bujqësore. Deri 18 muaj më parë, nga këto 18 mijë ha, ujiteshin vetëm 1200 ha, dmth 16800 ha ishin pa ujë. Në vetëm 18 muaj ne e kemi çuar sasinë e tokës që ujitet 6200 ha. Nuk janë 18 mijë ha, janë më pak, por ama nëse ata që e kishin pushtetin aq shumëe lanë me 7 për qind të tokës prodhuese të ujitur dhe 93 për qind të tokës në djerr. Ne për 18 muaj e çuam në 6200, që do të thotë se në 4 vitet e ardhshme me Viktor Tushen, këtë shifër ta trefishojmë dhe ta bëjmë 18 mijë ha”, tha Rama.
Ndërsa deputetja e LSI-së në Lezhë, Monika Kryemadh, tha se Shënkolli ka probleme me çertifikatat e pronësisë, duhet zgjidhje. “Jemi në një komunë që është shumë e madhe, por anonime për 25 vitet e tranzicionit në Shqipëri. Është një nga komunat më të pasura e më mikpritëse në vend, por ku kanë munguar investimet. Problemet dhe ankthi që kanë këta njerëz për të ardhmen e tyre, është e madhe. Kanë probleme me çertifikatat e tokës. Me këtë komunë është bërë si i ka dashur qefi sa i takon tokës, bregdetit”, tha Kryemadhi.